Sport

Danimarka mposht dhe eliminon Kroacinë, “merr” Katarin në çerekfinale të Botërorit

Kampionia aktuale e botës, Danimarka, kishte siguruar më herët kalimin në çerekfinale të Botërorit të hendbollit që po mbahet në Egjipt. Por kjo nuk pengoj danezët që të shënojnë fitore bindëse ndaj Kroacisë, në ndeshjen e fundit të Grupit II të raundit kryesor. Rezultati i ndeshjes së luajtur të hënën mbrëma ishte 38:26 në të mirë të Danimarkës.

Danimarka ka fituar grupin me 10 pikë, ndërsa Kroacia me humbje është eliminuar. Kroacisë i është dashur fitorja për të avancuar në çerekfinale. Në pjesën e parë kroatët u mbajtën mirë, duke humbur me rezultat 17:15. Por në pjesën e dytë danezët ishin të pandalshëm dhe arritën te fitorja bindëse.

Kështu prej Grupit II në çerekfinale kalojnë Danimarka dhe Katari që renditet i dyti me 6 pikë, sa edhe Argjentina në vend të tretë. Kroacia përfundon e katërta me pesë pikë.

Katari më herët të hënën fitoi ndeshje vendimtare ndaj Argjentinës, 26:25. Fati i Katarit varej nga Danimarka dhe ajo fitoi në fund. Argjentinës i është dashur fitorja për të avancuar, pavarësisht rezultatit në ndeshjen tjetër, por nuk ia doli.

Prej Grupit I në çerekfinale kanë kaluar Spanja e Hungaria. Prej Grupit III, Franca e Norvegjia, ndërsa prej Grupit IV, në çerekfinale kaluan Suedia dhe Egjipti.

Ndeshjet çerekfinale luhen më 27 janar. Takohen Danimarka me Egjiptin, Suedia me Katarin, Spanja me Norvegjinë dhe Franca me Hungarinë.