Sport

Dajaku synon që përmes Sunderlandit ta kthejë karrierën në rrugën e duhur

Leon Dajaku është 20-vjeçar dhe u vlerësua shumë në Gjermani për stilin e lojës dhe talentin për futboll. Vlerësohet edhe në Angli.

Megjithatë, shumë lëndime të rënda që e lanë jashtë fushave për kohë të gjatë, kanë bërë që Dajaku të mos e shfaq gjithë potencialin që e ka. Kështu të paktën vlerëson vetë futbollisti ofensiv.

Ai debutoi në Bundesligë me Stuttgartin, Bayern Munichun e me Union Berlinin. Por nuk u stabilizua te asnjëra skuadër. Thotë se lëndimet nuk e lanë të qetë.

Dajaku tani bën karrierë te Sunderlandi, skuadër që bën gara në rangun e tretë të futbollit anglez.

Me Sunderlandin synim e ka ngjitjen në rangjet më të larta.

“Kam shkuar në Angli, sepse gjithmonë kam pasur dëshirë të luaj në këtë vend. Disa mund të thonë se kam shkuar në ligën e tretë, por për mua ka qenë e rëndësishme të luaj, sepse për shumë kohë kam qenë jashtë fushave. Për mua ka qenë e rëndësishme të luaj. Sunderlandi është një klub i madh që meriton të jetë në ligë më të lartë. Kam qenë 100% i bindur për këtë lëvizje”, ka thënë Dajaku për KOHËN, të dielën.

Kohën e kaluar te Union Berlini e ka vlerësuar shumë të vështirë për shkak të qëndrimit jashtë fushave për kohë të gjatë. Dhe për të pasur më shumë minutazhë, Dajaku vendosi të shkonte në Angli, saktësisht te Sunderlandi.

Te Sunderlandi, Dajaku thotë se është pritur mirë nga zyrtarët e klubit dhe nga lojtarët po ashtu, ndërsa synon ringjallje në karrierë.

“Objektivi i klubit natyrisht është që të ngjitemi me çdo kusht në rangun e dytë të futbollit anglez. Sezoni është shumë i gjatë. Këtu luajmë shumë më shpesh sesa në Gjermani. Çdo javë luajmë nga dy ndeshje. Golat që i kam shënuar kanë qenë shumë të rëndësishëm. Më kanë dhënë shtytje të madhe sepse jam ndier shumë më mirë”, thotë Dajaku, i cili ka dy gola të realizuar në shtatë ndeshje në “League One” dhe në “EFL Cup”.

“Golat kanë ardhur pas një kohe shumë të gjatë, por shumë shpejt pas rikthimit në fushë. Kur e kam shënuar golin e parë kanë qenë edhe prindërit në stadium dhe ka qenë dy herë emocion më i mirë”, vazhdon tutje futbollisti kosovar, i cili për kundërshtar në Kupën EFL do ta ketë një skuadër të madhe, Arsenalin.

Në çerekfinale të kësaj gare klubet e mbetura janë nga elita e futbollit të Anglisë. Pra, Sunderlandi mund të vlerësohet si autsajder, por për Dajakun është e rëndësishme paraqitja e mirë e pse jo shënimi i ndonjë goli.

“Arsenalin do ta kemi për kundërshtar në Kupë. Të them të drejtën, kjo kupë nuk e ka rëndësinë aq të madhe sa e ka kampionati. Jemi të fokusuar në ligë. Ndaj Arsenalit natyrisht se është lojë shumë e bukur, të luash në ‘Emirates Stadium’ është diçka fantastike. Duhet të paraqitemi sa më mirë, do të ishte gjë e madhe nëse shënoj gol”, përfundoi Dajaku.

Sunderlandi në tabelën e “League One” pozicionohet në vendin e pestë, me 28 pikë. Por i ka dy ndeshje më pak të zhvilluara se Plymouth Argyle, që është lider me 33 pikë.

Skuadra e Dajakut është gjashtë herë fituese e elitës së futbollit anglez, ndërsa 20-vjeçari shkëlqimin në karrierë kërkon ta arrijë bashkë me rikthimin e Sunderlandit në rangjet më të larta.