Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Dajaku do ta kundërshtojë vendimin e FFK-së nëpërmjet rrugëve ligjore

Drejtori sportiv i Drenicës, Taulant Dajaku tha se do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të kundërshtuar vendimin e Komisionit Disiplinor të Federatës së Futbollit të Kosovës.

FFK-ja, të enjten e dënoi Dajakun me ndalim të kryerjes së funksionit për gjashtë muaj. Për deklaratat e tij publike, Dajaku është gjobitur edhe me 200 euro.

“Vendimin e kam marrë dhe sigurisht se do të angazhoj një avokat me të cilin do të konsultohem për ta proceduar tutje lëndën qoftë edhe në të gjitha gjykatat e këtij vendi. Unë besoj se Kosova është shtet demokratik dhe këto lloj dënime mbi shprehjen e lirë të mendimit të individit ose tendencën të cenoj të drejtën për të ushtruar funksionin e vet në futboll, janë më shumë se përtej futbollit. Për mua është tendencë t’ua mbyllë gojën dikujt që ka drejtën e vet me kushtetutë. Unë do t’i drejtohem çdo instance ligjore që ma lejon Kosova, por për mua përtej kësaj më duket se përveç se është e padrejtë dhe cenim i lirisë së shprehjes tregon edhe përdorimin e një institucioni për të shantazhuar një njeri që është i lirë të jap mendimin e vet”, ka thënë Dajaku për KOHËN të enjten.

“Ajo që kam thënë në emisione është se nëse futbolli i Kosovës nuk po ec dhe ka problematika, atëherë ne të gjithë bashkë duhet të flasim dhe ta zhvillojmë një debat konstruktiv për të nxjerrë diçka pozitive. Nuk kam fyer askënd në asnjërin prej televizioneve ku unë jam paraqitur. Nuk më janë cituar drejtë fjalët e mia edhe nga Komisioni Disiplinor”.