Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja është i kënaqur me fitoren e arritur ndaj Ferizajt të hënën.
Ballkani mposhti Ferizajn me rezultatin 3:0. Ai ka theksuar se me ekipin e tij do ta ketë prioritet kampionatin e Kosovës.
“Jam i kënaqur me fitoren, pasi kishim përballë një ekip simpati që na vështirësoi punët. Falënderoj sportdashësit në Ferizaj që ishin shumë miqësore me ne, ku disa edhe na duartrokitën. Kemi bërë që në të gjitha fushat të pritemi mirë. Kemi marrë katër fitore dhe një humbje që erdhi për shkak të lodhjes që kemi pasur. Më gëzon kthimi i kapitenit që është i rëndësishëm për ne, Zyba po ashtu, ndërsa Bekteshi po afrohet lojës tonë. Pavarësisht se do ta kemi të vështirë, pasi po përballemi me orar të ngjeshur, do të mundohemi të përdorim grupin e lojtarëve. Primare kemi kampionatin, por kur kemi ndeshje të grupeve do të japim maksimumin. Për neve primare është kampionati, pasi nga kampionati jemi ku jemi”, ka thënë Daja.
Ai ka folur edhe për ndeshjen e radhës ndaj Sivassporit. Ballkani i ka zhvilluar dy ndeshje në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Ka një barazim dhe një humbje. Në fillim të muajit tjetër e luan ndeshjen e tretë ndaj Sivassporit.
“Ekipet tona në grup janë më të mira se ne dhe do të mundohemi të paraqitemi edhe në ndeshjen e ardhshme ashtu siç u paraqitëm në Pragë dhe në ndeshjen e parë. Do të mundohemi ta bëjmë maksimumin që ta përfaqësojmë jo vetëm Ballkanin, por edhe ligën e Kosovës në garat evropiane. Është lodhje, por njëkohësisht ehe kënaqësi”, ka theksuar Daja.