Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, ka theksuar pas ndeshjes se ulja e ritmit pas pushimit kur rezultati ishte 3:0 në të mirë të suharekasve ndaj Malishevës, nuk i ka pëlqyer fare.
Si rezultat i uljes së ritmit, Malisheva ngushtoi epërsinë në 3:2 dhe qëlloi transversalen.
“Kemi bërë një start ku në 7-8 minutat e para nuk përshtateshim me fushën. Nëse terreni do të ishte më i mirë, do të ishte më mirë për të dyja skuadrat. Pastaj reaguam dhe morëm lojën nën kontroll. Fituam në një fushë të vështirë. Para se të shënonim, kundërshtari kishte raste ku mund të shënonte e të na vështirësonte punët. Ajo që nuk më ka pëlqyer ishte ulja e motivit në pjesën e dytë. Në pushim folëm që kjo nuk duhet të ndodh pavarësisht rezultatit 3:0, por epërsia e lartë e sjellë këtë. Kemi rrezikuar me penallti dhe me një gol, të dyja mund të evitoheshin. Sidoqoftë, kemi startuar mirë gjysmën e dytë të sezonit. Djemtë u treguan goxha profesionist në fushën e lojës. Ata shënuan dhe treguan se dinë të reagojnë mirë”, është shprehur Daja.