Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja ka kritikuar ashpër gjyqtarët e ndeshjes në mes të ekipit të tij dhe Prishtinës.
Ai ka thënë se gjyqtarët kanë qenë vendimtar në disa raste në ndeshjen çerekfinale të zhvilluar në Lipjan. Trajneri nga Shqipëria ka thënë se kjo nuk është ndeshja e vetme që janë dëmtuar. Pretendon se kjo po ndodh në disa ndeshje.
“Nuk kam komentuar ndonjëherë ndarjen e drejtësisë, por nuk mund të rri pas dy ndeshjeve ku fillohet me dhënie të penalltive. Edhe në basketbollin evropian ai kontakt nuk është faull e lërë më në futboll. Çdo kontakt nuk është penallti, pasi më pas i bie që ne të luajmë volejboll e jo futboll. Jashtë kësaj, Prishtina kërkoi më shumë fitoren dhe ia doli. Por, kemi një situatë ku Mërgim Pefqeli ndëshkohet me karton të verdhë pas shtatë ndërhyrjeve. Prishtina ishte më luftarake dhe them se merituan fitoren. Neve na mbetet të fokusohemi në kampionat. Por, edhe nëse në kampionat vazhdon kështu duhet të përgatitemi për në Evropë. Po të shohim se do të na jepen ndeshje pas ndeshje ndaj nesh penallti, do të shohim në verë a vazhdohet në këtë mënyrë”, ka thënë Daja.
Prishtina kaloi në gjysmëfinale falë fitores 2:0 ndaj Ballkanit.