Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Daja vlerëson se fitorja është dashur të jetë më e thellë

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, është ndarë i kënaqur me lojën që ka treguar Ballkani, por jo edhe me dy golat që ka pranuar.

Sipas tij, ndeshja e kthimit nuk do të jetë aspak e lehtë.

“Po harrojmë që kemi shkuar 3:0 dhe kemi pasur raste të tjera. Kemi pasur presing të lartë. Lojtarët që kanë ardhur nuk janë përshtatur mirë me lojën tonë. Jam i kënaqur me ekipin çka ka bërë, ka mundur të jetë rezultat më i thellë. Mendoj që ajo që duhet të jetë kryesorja duhet të shtojmë kontingjentin e lojtarëve. Dallimi u bë te ndërrimet që bëri kundërshtari. Ata janë duke e zhvilluar kampionatin dhe kjo ndikoi. Kemi kontrolluar lojën, kemi pasur situata të mira. Do të jetë ndeshje e vështirë ndeshja e kthimit. Jemi në epërsi në ndeshjen e kthimit”, tha Daja.

Trajneri nga Shqipëri mendon se Ballkani ka treguar paraqitje superiore në të gjitha ndeshjet para shikuesve të vet.

“Detajet e kanë vendosur ndeshje me dy golat e kundërshtarit. Pjesën tjetër e kemi bërë më të mirën. Është hera e parë që Ballkani po luan në Evropë. Kemi bërë shumë mirë ndaj një ekipit që ka përvojë në Evropë. Edhe sot kishim më tepër raste. Na gëzon fakti që jemi superior ndaj çdo kundërshtari, sidomos në ndeshjet që i kemi luajtur para publikut tonë”, përfundoi Daja.