Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, ka thënë pas ndeshjes se dëshiron nga lojtarët e tij të ketë paraqitje të mira edhe në Superligën e Kosovës, por edhe në garat evropiane.
Për t’ia arritur një gjëje të tillë, ai ka thënë se i duhen 16-18 lojtarë që janë të gatshëm për të dhënë maksimumin.
“Nuk kemi bërë eksperimente në fushë. Fushë Kosova luan futboll të mirë, nëse e nënvlerëson pak, të bën dëm. Edhe ata u shfaqën goxha mirë në ndeshje. Lojtarët tonë kryesorë, titullarët, ndihmojnë lojtarët të përshtaten. Ata marrin barrën kryesore sepse duhet të kemi 16-18 lojtarë të gatshëm për lojë që të mos prishen ekuilibrat”, ka thënë fillimisht Daja. Ai theksoi se si trajnerë, nuk janë të kënaqur asnjëherë, sepse gjithmonë kërkojnë maksimumin. “Ismajlgeci luajti, Manaj apo Karrica presim të luajnë. Ishin në plan por u desh të bënim ndërrime të detyruara. Duke pasur më shumë lojtarë, e përballojmë më lehtë kampionatin. Kemi paraqitje të mira edhe në Evropë. Duam ta mbajmë ritmin e mirë edhe në Kosovë, edhe në Evropë”, ka thënë për “ArtMotion” trajneri i Ballkanit.