Stephan Curry ka tejkaluar rekordin e Wilt Chamberlainit. Curry ka shënuar 53 pikë në fitoren e Golden Statet ndaj Denverit me rezultatin 116:107, për t’u bërë koshashënuesi më i mirë në histori të klubit. Me pikët e shënuara ndaj Denverit, Curry ka arritur në shifrën e 17.786 pikëve të shënuara.
Ai ka lënë pas vetes rekordin e Chamberlainit, me 17.783 pikë të shënuara. Prej 53 pikëve të shënuara, Curry ka realizuar dhjetë trepikësha në këtë fitore të Warriorsave.
Për Curryn, kjo është ndeshja e tretë këtë sezon dhe e nënta në karrierë që ka shënuar të paktën 50 pikë për ndeshje. Ndërkohë, për Golden Staten ishte fitorja e tretë në katër ndeshjet e fundit.
“Është diçka e pabesueshme dhe e çmendur të jesh diku afër Chamberlainit në ndonjë libër të rekordeve. Kurse, unë tashmë ndihem i veçantë për shkak se kam arritur ta thyejë një rekord të tij”, është shprehur Curry pas ndeshjes.