Skuadra e Trepçës ka bërë një hap drejt kualifikimit në finalen e plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll. Të dielën, në palestrën e stërmbushur “Minatori” të Mitrovicës, Trepça e fitoi ndeshjen e parë të serisë gjysmëfinale ndaj Pejës me rezultatin 75:68.
Për këtë fitore të ekipit mitrovicas më të merituarit ishin tre lojtarë amerikanë që ndeshjen e mbyllën me pikë dyshifrore. Tani Trepça është dy fitore larg finales së plejofit. Ndeshja e dytë luhet të enjten (20:30) në Mitrovicë.
Dy prej tre amerikanëve të Trepçës që shkëlqyen të dielën janë pjesë e ekipit prej fillimit të këtij edicioni, në të cilin tashmë e kanë fituar Kupën e Kosovës.
Qendra Andrew Gordon, që shënoi 16 pikë ndaj Pejës, dhe fundori Ty Cockfield, që realizoi 12 pikë, iu bashkuan “xehetarëve” më 1 gusht të vitit të kaluar, në ditën e parë të stërvitjeve.
Në fakt Gordon e Cockfield janë ndër amerikanët e paktë që u kanë mbijetuar ndryshimeve të shumta në skuadrat e Superligës së Kosovës gjatë edicionit 2021/22. Vetëm edhe Wendell Mitchell (Sigal Prishtina), Julien Lewis (Bashkimi) e Milik Yarbrough (Rahoveci) kanë arritur ta përfundojnë edicionin që edhe e nisën në Kosovë.

Mitchell me Prishtinën është në gjysmëfinale të plejofit, derisa Lewis e Yarbrough tashmë kanë përfunduar edicionin.
Gordon nuk ka munguar asnjë ndeshje te Trepça, kurse po luan me mesatare prej 10.1 pikëve dhe 8.1 kërcimeve. Cockfield u la jashtë ekipit në disa ndeshje, pasi skuadra ka një të huaj më shumë se që lejohet. Ai mesatarisht ka 16 pikë, 6.5 kërcime dhe 4.4 asistime për ndeshje.
Trepça në radhët e veta ka edhe amerikanët Rodney Purvis, Corban Collins e Mike Edwards dhe nga ndeshja në ndeshje trajneri Lubomir Minchev lë njërin jashtë formacionit.
Trepça është ekipi që këtë edicion ka bërë më së paku ndryshime te lojtarët e huaj, pasi i ka ndërruar vetëm dy – Ryan White e Gerald Blackshear. Ndërkohë Amin Hot është bërë vendor në gjysmë të kampionatit, ndonëse nisi si i huaj.
“Ky është viti im i parë si profesionist dhe jam shumë i lumtur me faktin se kam qenë në gjendje të mbetem pjesë e Trepçës për tërë edicionin. Kur kam ardhur synimi im ishte të mos largohesha deri në fund, pasi doja ta ndihmoja ekipin për ta fituar titullin dhe për këtë jam shumë krenar”, është shprehur Gordon për KOHËN, të hënën. Ai shquhet për praninë fizike në afërsi të koshit. Shtatlarti ka nisur me sukses karrierën profesionale.
“Po ashtu jam shumë i kënaqur me atë që kam treguar deri më tani me fanellën e Trepçës për shkak se gjërat kanë shkuar siç është më së miri. E kemi krijuar një ekip që është si familje, ku secili luftojmë për njëri-tjetrin dhe kjo ka bërë që të jemi superiorë këtë edicion”.
Për dallim prej Gordonit, që po luan për herë të parë si profesionist, Cockfield para se të transferohet në Kosovë ka bërë karrierë edhe në Greqi e Austri.
Cockfield ka pranuar se synimi i tij nuk ishte të mbetej pjesë e Trepçës për tërë kampionatin, por pritja e mirë që i është bërë në Mitrovicë dhe përkrahja e madhe nga tifozët kanë bërë që të ndërrojë mendje.
“Planet e mia ishin t’i bashkohesha Trepçës, të luaja mirë dhe të largohem në gjysmën e edicionit. Por në momentin që erdha në Mitrovicë e ndjeva dashurinë e qytetit dhe të klubit. Kështu që menjëherë ndryshova mendje dhe vendimi im për të qëndruar deri në fund ishte shumë i lehtë. Tani dua të largohem nga Trepça si kampion. Do të luftojmë deri në fund për titullin e kampionit. Kemi ekip të mirë, sidomos me ardhjen e Purvisit dhe Edwardsit dhe gjasat janë shumë të mira për ta kthyer titullin pas një kohe të gjatë në Mitrovicë. Pas Kupës e duam edhe një trofe tjetër për ta mbyllur edicionin”, ka theksuar Cockfield. “Përfundimisht jam shumë i kënaqur me nivelin e ligës në Kosovë dhe falënderues ndaj Trepçës që më ka dhënë mundësinë për të qenë pjesë e ekipit dhe për ta shfaqur talentin tim. Deri më tani jam krenar edhe me atë që kemi treguar këtë edicion në basketbollin e Kosovës”.
Gordon e Cockfield janë prej më të vlerësuarve edhe nga tifozët. Dhe përkrahjen e tifozëve e kanë ndier edhe të dielën mbrëma, kur “Minatori” ishte i stërmbushur. Shënimet e Cockfieldit dhe ngulitjet e Gordonit, i kanë shërbyer maksimalisht atmosferës së zjarrtë.