Një goditje e madhe ka ardhur nga UEFA për shumë skuadra evropiane. Njëra prej tyre është Cluji rumun, pjesë e të cilit është edhe Ermal Krasniqi, futbollisti nga Kosova.
Në këtë edicion të garave të UEFA-s, Cluji u eliminua nga Lazio në Ligën e Konferencës, por kampioni rumun në pesë vjetët e fundit, rrezikon të përjashtohet për tri sezone nga garat evropiane.
UEFA ka njoftuar se Dhoma e Parë e Trupit të Kontrollit Financiar të UEFA-s e ka përfunduar vlerësimin e parë të kërkesave për pagesa sipas rregulloreve të reja për Licencimin dhe Qëndrueshmërinë Financiare të Klubeve.
Pas këtij vlerësimi janë vendosur masa disiplinore për 11 klube, përfshirë edhe CFR Clujin.
Për shkak të borxheve aktuale, UEFA ka gjobitur Clujin me 250 mijë euro, dhe nëse thyen sërish rregullat financiare në dy vitet e ardhshme, në “periudhën e provave”, do të dënohet nga garat evropiane për tri sezonet e ardhshme, pavarësisht renditjes në ligë.
Përveç Clujit janë dënuar edhe Aris Thessaloniki, Astana, Borac Banja Luka, Floriana, Konyaspori, Kyzyl-Zhar Petropavlosk, Olimpija Lubjana, Osijeku, Rijeka dhe Valmiera.