Manchester City ka paguar 1.7 milionë euro për transferimin e talentit peruan Kluiverth Aguilar nga Alizanza Lima. Mbrojtësi 16-vjeçar do t’i bashkohet Cityt kur të mbush 18 vjet më 5 maj të vitit 2021.
Manchester City është duke bërë plane për të ardhmen, duke transferuar talente nga Amerika e Jugut.
“Transferimi te City është gjë e madhe në karrierën time. Jam i lumtur që kam firmosur. Është një klub që ka trajner, lojtarë e tifozë të jashtëzakonshëm. Synimi im është të bëhem lojtar i padiskutueshëm në skuadrën e parë. Jam i lumtur që mundësia për t’u transferuar në Evropë më është paraqitur derisa jam ende lojtar i Alianzas”, ka thënë Aguilar për faqen zyrtare të klubit peruan Alianza Lima.
Marrëveshja raportohet se është rekorde për klubin peruan. Nga Alianza edhe në të kaluarën kanë dalë lojtarë të mëdhenj. Nga ky klub ishte transferuar Claudio Pizarro te Werder Bremeni në vitin 1999. Po ashtu edhe Jefferson Farfani te PSV-ja në vitin 2004.
Alianza pos shumës së dëmshpërblimit ka arritur marrëveshje edhe për një përqindje nga shitja e ardhshme e lojtarit.