Manchester City po e synon kualifikimin në finalen e dytë rresht në Ligën e Kampionëve.
Sonte në orën 21:00, kampioni i La Ligas dhe skuadra më e suksesshme e Evropës, Real Madridi, e pret Cityn në “Santiago Bernabeu”, në ndeshjen e dytë gjysmëfinale.
Ndeshja e parë ndërmjet këtyre dy ekipeve e zhvilluar në “Etihad Stadium”, që u vlerësua si një prej gjysmëfinaleve më të mira në histori të Championsit, përfundoi 4:3 në favor të Cityt.
Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola është në kërkim të finales së dytë rresht. Edicionin e kaluar u mposht 1:0 nga Chelsea.
Ndërkohë, Real Madridi mbetet dukshëm ekipi më i mirë i Evropës me 13 trofe të fituar të kësaj gare, teksa në fundjavë e festoi titullin e La Ligas, të 35-n në histori të klubit.
Fituesi i këtij çifti do të luajë në finale kundër Liverpoolit. Finalja zhvillohet në Paris më 28 maj.