Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

City kundër Burnleyt të Aro Muriqit në xhiron e parë

Kampioni i Premier Leagues, Manchester City, do ta nis sezonin e ri të Premier Leagues më 11 gusht, në udhëtim te Burnley, skuadra e portierit të Kosovës, Arijanet Muriq.

Burnley – City, do të jetë tjetër përballje e veçantë për trajnerin e skuadrës që siguroi kalimin në Premier League në edicionin që përfundoi.

Vincent Kompany e udhëheqë skuadrën e Burnleyt, ndërsa në të kaluarën, ish-qendërmbrojtësi ishte kapiten i skuadrës së Cityt.

Ndeshja e parë e Luton Townit, që në elitë luan për herë të parë që prej vitit 1992, do të jetë në udhëtim te Brightoni një ditë më vonë.

Sheffield Unitedi, skuadra tjetër e inkuadruar në Premier League për edicionin e ri, do të jetë nikoqir i Crystal Palaceit.

Derbi i xhiros së parë në Premier League do të jetë ajo ndërmjet Chelseat dhe Liverpoolit, të dielën më 13-të gusht.

Chelsea do të drejtohet nga Mauricio Pochettino.

Ange Postecoglou, trajneri i ri i Tottenhamit, e nis Premier Leaguen me duelin kundër Brentfordit.

Manchester Unitedi në ndeshjen e parë do të luajë në “Old Trafford” kundër Wolverhamptonit, të hënën më 14 gusht.

Manchester City në këtë edicion e festoi tripletën, pasi fitoi Premier Leaguen, Ligën e Kampionëve dhe Kupën FA.

Tani e synon të bëhet skuadra e parë angleze që fiton katër tituj rresht në elitën e futbollit anglez.

Ekipi që drejtohet nga Pep Guardiola fitoi Premier Leaguen në pesë nga gjashtë edicionet e kaluara.

Trajneri i Burnleyt, Kompany, i kaloi 11-të vjet te City, duke fituar katër herë ligën.

Edicioni i ri i Premier Leagues 2023/24, mbyllet të dielën, më 19 maj të vitit të ardhshëm.

Artikuj të ngjashëm