Pas barazimit me Evertonin, Manchester City nuk ka lëshuar pikë në derbin ndaj Chelseat që i takoi xhiros së 19-të të Premier Leagues.
Të enjten në mbrëmje në stadiumin “Stamford Bridge”, të udhëhequrit e Pep Guardiolës fituan përballë atyre të Chelseat me rezultatin 1:0.
Për londinezët e Graham Potterit ishte tjetër sinjal krize.
Chelsea mbetet me vetëm 25 pikë në 17 ndeshje, kurse City ka 39 pikë, pesë më pak se Arsenali.
Corney Chukwuemeka i Chelseat për pak sa nuk shënoi gol në minutën e 44-t.
Qëlloi vetëm shtyllën me gjuajtje nga distanca.
Shtyllë pas gjuajtjes me kokë qëlloi edhe Nathan Ake në pjesën e dytë, në minutën e 51-të.
Guardiola bëri ndryshime në skuadër në pjesën e dytë dhe ato dhanë frytet e veta.
Zëvendësuesit Jack Grealish dhe Riyad Mahrez bashkëvepruan me njëri-tjetrin, ndërsa algjeriani realizoi nga afërsia me lehtësi.
Për të ishte goli i nëntë si zëvendësues, më shumë se çdo lojtar tjetër qëkur ai iu bashkua Manchester Cityt në vitin 2018.
Chelsea me këtë disfatë vazhdon formën e dobët edhe në fazën sulmuese.
Mbetet me vetëm 20 gola të realizuar në Premier League, një më pak se sulmuesi i Cityt, norvegjezi Erling Haaland.
City nga ana tjetër regjistron fitoren e 19-të në 26 ndeshje në udhëtimet në ligë. Ka vetëm një disfatë në këtë seri.