Një çift nga Afrika e Jugut ka vrapuar maratonë nga ballkoni i apartamentit në Dubai, shkruajnë mediumet e huaja, transmeton Koha.net.
Collin Allin 41-vjeçar dhe bashkëshortja e tij Hilda kanë vrapuar 42.2 kilometra, duke bërë më tepër se 2100 xhiro në ballkonin e gjatë 20 metra. Çifti ka transmetuar online në rrjete sociale këtë vrapim.
Ka përfunduar maratonën për 5:09:39 orë.
“Ne ia dolëm”, ka shkruar Allin në Instagram, ndërsa ka uruar bashkëshorten që e ka kompletuar maratonën e parë e po ashtu ka falënderuar tifozët në rrjetet sociale që i kanë përkrahur ata. “Ju falënderoj të gjithëve për dashurinë dhe përkrahjen për këtë çmenduri”.
Vajza 10-vjeçare e çiftit Geena ka vepruar si drejtoreshë e garës, duke dhënë sinjalin për fillimin e garës dhe po ashtu duke ndihmuar prindërit me ujë e ushqim gjatë garës.
“Kjo ka qenë për t’u ofruar njerëzve diçka tjetër për të menduar, pasi të gjithë janë të shqetësuar për ndikimin e koronavirusit”, ka thënë Allin.
Pandemia ka ndaluar sportin gati në gjithë botën. Nuk është hera e parë që gjatë kësaj ndalese dikush ka vrapuar maratonë nga ballkoni.
Elisha Nochomovitz 32-vjeçar, ka vrapuar maratonën nga ballkoni i gjatë 7 metra. Ai e përfundoi maratonën për gjashtë orë e 48 minuta. Po ashtu të shtunën anglezi Gareth Allen ka vrapuar maratonën në oborrin e shtëpisë.