Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Chelsea nuk e regjistron lojtarin që ka pagë javore 120 mijë euro, trajneri nuk e di se ai është në klub

Politika e transferimeve të Chelseat në vitet e fundit mund të shkruhet me ditë të tëra dhe fakti që blutë kanë lënë jashtë skuadrës zyrtarisht një lojtar që fiton 120 mijë euro në javë duket krejtësisht e pabesueshme.

Bëhet fjalë për mbrojtësin Malang Sarr, francezin 24-vjeçar që nënshkroi me londinezët në verën e vitit 2020 për 16 milionë euro nga skuadra franceze Nice dhe që pritej të bëhej shtyllë e mbrojtjes në të ardhmen.

Mirëpo, kjo jo vetëm që nuk ndodhi, por futbollisti u la krejtësisht jashtë skuadrës.

Trajneri Mauricio Pochettino kishte kohë deri dje që të regjistronte skuadrën prej 25 futbollistësh për Premier Leaguen që do të luajnë deri në fund të vitit kalendarik. Përveç atyre 25 futbollistëve, skuadrat duhet të regjistrojnë edhe një listë me futbollistët U-21, të cilët mund të përdoren në ndeshje.

Në mesin e futbollistëve të regjistruar nuk ka Malang Sarr, gjë që ka habitur tifozët, sepse ai është lojtar me një kontratë shumë të majme në klub. Francezi fiton 120 mijë euro në javë dhe ka kontratë deri në vitin 2025. Meqenëse ai nuk është i regjistruar, nuk do të luajë dhe klubi do të vazhdojë ta paguajë.

Kjo ndoshta nuk është për t'u habitur pasi trajneri Pochettino së fundmi tërhoqi vëmendjen e publikut kur nuk e dinte se për kë po e pyesnin gazetarët në një konferencë për shtyp. Pyetja ishte për Sarr.

Edhe Konfirmohet largimi i Sterlingut nga Chelsea Futboll Konfirmohet largimi i Sterlingut nga Chelsea

Gazetari ka dashur të pyesë për lojtarin e “zhdukur” nga klubi dhe ka përmendur Malang Sarr, për të cilin Pochettino ka pyetur “Kush?”. Trajneri ka mbetur i habitur dhe nuk ka ditur t'i përgjigjet pyetjes, duke thënë se gazetari e ka surprizuar.