Chelsea ia ka shkaktuar humbjen e parë skuadrës së Tottenhamit në Premier League të Anglisë këtë stinor. Chelsea fitoi në udhëtim 4:1 ndaj Tottenhamit, në ndeshjen e luajtur të hënën mbrëma, në kuadër të xhiros së 11-të të elitës së futbollit anglez.
Tottenhami ndeshjen e mbylli me dy lojtarë më pak në fushë.
Tottenhami e nisi mirë takimin dhe në minutën e gjashtë kaloi në epërsi nëpërmjet Dejan Kulusevskit. Më pas Tottenhami shënoi gol nëpërmjet Sonit në minutën e 13-të, por u anulua për pozitë jashtë loje.
Në minutën e 21-të u anulua edhe goli i Raheem Sterlingut. U anulua edhe një gol i Moises Caicedos së Chelseat në minutën e 28-të pas rishikimit të rastit me VAR.
Chelsea barazoi rezultatin vetëm pasi Tottenhami mbeti me një lojtar më pak në fushë. Cristian Romero fillimisht u përjashtua me të kuq në minutën e 33-të. Pesë minuta më vonë, Cole Palmer barazoi 1:1 nëpërmjet penalltisë. Në minutën e 55-të, Tottenhamit iu largua nga fusha pas dy të verdhëve edhe Destiny Udogie. Golin e dytë për Chelsean e shënoi Nicolas Jackson. Ai realizoi në minutën e 75-të. Tottenhami shënoi më pas me Eric Dier, por goli i tij i minutës së 79-të u anulua pas rishikimit tw rastit me VAR. Fitoren e Chelseat e vulosi Jacskon i cili shënoi për 3:1 në minutën e 94-t dhe më pas “hat-trickun” e kompletoi në minutën e 98-të.
Chelsea është ngritur në vendin e dhjetë me 15 pikë, kurse Tottenhami mbetet në vendin e dytë me 26 pikë, një më pak se kampioni i Anglisë, Manchester City.