Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Chelsea dënon Kepan për incidentin në finalen ndaj Cityt

Chelsea ka gjobitur portierin Kepa Arrizabalaga me pagën e një jave pas përplasjes që pati me trajnerin Maurizio Sarri në finalen e Kupës EFL në Angli.

Spanjolli dhe trajneri i tij u takuan të hënën për paraqitjen publike të portierit në humbjen e “Bluve” ndaj Manchester Cityt në penalti.

Sarri mbeti i shtangur kur Arrizabalaga refuzoi të zëvendësohej nga Willy Caballero pak para gjuajtjes së penaltive.

Të dy e quajtën keqkuptim incidentin, por lojtari tashmë i ka kërkuar falje personalisht trajnerit, bashkëlojtarëve dhe klubit.

“Kam menduar shumë për rastin e finales. Edhe pse ishte gjithçka një keqkuptim, në reflektim, kam bërë një gabim të madh se si menaxhova situatën. Desha të shfrytëzoj rastin t’i kërkoj falje trajnerit, Willyt, bashkëlojtarëve dhe klubit. E kam bërë këtë dhe tani u kërkoj falje edhe fansave. Do të mësoj nga ky episod dhe do të pranoj çdo ndëshkim që klubi vendos”, ka thënë lojtari, teksa Sarri ka vlerësuar se “Kepa e ka kuptuar gabimin e tij”.