Chelsea synon ta fillojë sezonin e ri ashtu siç e mbylli të shkuarin - me trofe. Si fituese e Ligës së Kampionëve, Chelsea do të përballet me fituesin e Ligës së Evropës, Villarrealin, në ndeshjen për Superkupën e Evropës.
Kjo ndeshje do të zhvillohet të mërkurën prej orës 21:00 në Belfast dhe trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel, ka synim ta fitojë trofeun e Superkupës, për të paralajmëruar se skuadra e tij do të futet në sezonin e ri me synime të mëdha.
Ndikimi mahnitës i Thomas Tuchel qëkur mori drejtimin e bluve në janar ka rritur synimet te Chelsea, që tani synon t’i sfidojë të gjithë trofetë, veçanërisht me Romelu Lukakun, që është pranë kthimit në “Stamford Bridge” për një shifër rekorde të klubit prej 115 milionë eurosh. Futbollistët e Tuchelit mposhtën Manchester Cityn për ta ngritur trofeun e Championsit në muajin maj, vetëm pesë muaj pasi gjermani e zëvendësoi Frank Lampardin e shkarkuar dhe me Chelsean që ishte në vendin e nëntë në Premier League.
Fitorja në Porto ishte e treta për Chelsean ndaj Cityt në gjashtë javë. Tani Chelsea ka synimin afatgjatë për të rrëzuar skuadrën e Pep Guardiolas edhe nga froni në Angli.
“Ne duam të fitojmë, ne duam të garojmë dhe natyrisht ne duam të jemi të suksesshëm. Synimi është që ta nisim sezonin e ri në mënyrën siç e përfunduam të vjetrin, pra me trofe”, tha Tuchel në prag të duelit me Villarrealin. “Kjo është në natyrën e Chelseat dhe natyrisht që ne jemi gati për sfidën. Ne do të përpiqemi të garojmë për çdo titull në çdo garë që hyjmë, por gjithashtu mendoj se do të jetë një hap i madh përpara nëse mund të ruajmë të njëjtën cilësi, qëndrim dhe përpjekje që treguam sezonin e kaluar”.
Edhe mesfushori i Chelseat, Mateo Kovaçiq, që u paraqit në konferencën për shtyp, pranoi se synimi është ta fitojnë trofeun e Superkupës së Evropës. Kovaçiq ka pranuar se nuk do të jetë ndeshje e lehtë, por ka insistuar se Chelsea është gati. Ndaj Villarrealit, skuadra londineze nuk do ta ketë në dispozicion Lukakun, të cilin ende nuk e ka regjistruar. Mirëpo sulmuesi belg pritet ta kompletojë transferimin e tij nga Interi përpara ndeshjes së parë të Chelseat në Premier League kundër Crystal Palace, të shtunën.
“Ky klub e ka traditë fitimin e trofeve dhe ndaj Villarrealit e kemi mundësinë e parë. Kemi një kundërshtar të fortë në ndeshjen e parë zyrtare të edicionit të ri, të cilën mendoj se duhet ta fitojmë”, është shprehur Kovaçiq. “Chelsea është mësuar të fitojë trofe dhe çdo vit garon për tituj. Sezonin e shkuar kemi treguar se mund të arrijmë gjëra të mëdha dhe jam i bindur se edhe sezonin e ri do ta nisim me një paralajmërim të tillë. Dëshira është për trofe dhe të parin duam ta marrim të mërkurën mbrëma”.
Te Villarreali kanë pranuar se Chelsea është një kundërshtar i vështirë. Në të vërtetë kjo është hera e parë që këto dy skuadra përballen mes vete. Në finalen e Ligës së Evropës, Villarreali e mposhti Manchester Unitedin pas penalltive, ndërsa Chelsea ka më shumë përvojë në Superkupën e Evropës. Ka luajtur katër herë, por vetëm një herë pati fituar. E pati mposhtur 1:0 Real Madridin në vitin 1998, përpara se të pësonte nga Atletico Madridi (2012), Bayern Munichu (2013) dhe Liverpooli (2019).
Sulmuesi i Villarrealit, Gerard Moreno, po shpreson që londinezëve t’ua shkaktojnë humbjen e katërt në Superkupën e Evropës. Moreno të martën e ka firmosur kontratën e re me Villarrealin, të vlefshme deri në vitin 2027 dhe po shpreson që t’ia shpërblejë besimin klubit një ditë më vonë, duke ndihmuar me gola në triumfin ndaj Chelseat.
“Chelsea është një kundërshtar masiv për t’u përballur, por i tillë ishte edhe Manchester Unitedi, që e mposhtëm për ta fituar trofeun e parë të Evropës. Ne kemi besim në vete dhe jemi të ngazëllyer që kemi mundësinë ta fillojmë sezonin me ndeshjen e Superkupës së Evropës”, është shprehur Moreno. “Ne shpresojmë të kemi përkrahjen e madhe të tifozëve në këtë ndeshje, sepse ata na forcojnë, sikurse ndaj Manchester Unitedit. Synimi është ta fitojmë këtë ndeshje dhe të kthehemi nga Belfasi me trofeun e dytë brenda pak muajve”.