Bernard Challandes dhe Elbasan Rashani janë shprehur optimistë duke insistuar se Kosova në Batumi të Gjeorgjisë, ka udhëtuar vetëm për të marrë rezultat pozitiv.
Që të dy ishin të mendimit të njëjtë para duelit kundër Gjeorgjisë në ndeshjen e parë të muajit shtator. Kosova të enjten nga ora 18:00 në stadiumin “Batumi”, e zhvillon ballafaqimin kundër Gjeorgjisë në kuadër të kualifikimeve të Botërorit “Katari 2022”.
Ky stadium për shkak të rasteve të shumta pozitive me koronavirus, do të jetë i zbrazët për këtë përballje.
“E kam parë ndeshjen e parë të Gjeorgjisë në këtë grup shumë të vështirë. Nuk do të jetë e lehtë për Gjeorgjinë dhe nuk do të jetë e lehtë për Kosovën. Kemi parë Spanjën, Suedinë dhe Greqinë. Kemi parë rezultate të mira të Gjeorgjisë. Ne kemi filluar me dy humbje. Do të jetë ndeshje shumë e vështirë. Është koha jonë që të tregojmë diçka, ndoshta edhe të shpërthejmë, të luajmë një ndeshje shumë të mirë. Do të jetë e nevojshme kundër Gjeorgjisë, që mund të luajë futboll të mirë, të shpejtë, të luftojë po ashtu. Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne edhe për të ardhmen, jo vetëm për këtë fazë të grupeve”, ka thënë Challandes.
Sulmuesi më në formë te Kosova aktualisht, Elbasan Rashani, ishte i qartë në synimin e Kosovës për këtë duel. E ka vlerësuar lartë Gjeorgjinë, por beson në grupin e bashkuar të “Dardanëve”. Rashani është pjesë e Clermontit në Francë. E ka nisur mirë edicionin në elitën e futbollit francez, që është një prej më të fortave në Evropë. 28-vjeçari ka realizuar tri gola e një asistim në katër ndeshje me skuadrën franceze.
“Kemi ardhur me një synim, për të marrë rezultat të mirë. Të gjithë në ekip e dimë se kjo na duhet. Mirëpo, për neve është shumë me rëndësi të kemi një paraqitje të mirë dhe rezultati të vijë pas paraqitjes. Unë personalisht jam në formë të mirë dhe jam gati që t’i ndihmoj ekipit. Unë dhe bashkëlojtarët jemi gati për këtë ndeshje”, shtoi Rashani. Kosova në Gjeorgji mbërriti të mërkurën gjatë ditës. E ka zhvilluar stërvitjen e fundit, por me mungesën e shumë futbollistëve. Arbër Zeneli, Edon Zhegrova e Blendi Idrizi janë të lënduar, ndërsa Milot Rashica nuk ka mundur të udhëtojë shkaku i masave të koronavirusit, të vendosura nga shteti i Anglisë. Rashica është pjesë e Norëich Cityt në Premier League.