Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Bernard Challandes, ka thënë se kualifikimi në “Play-Off” të Ligës së Kombeve është sukses i jashtëzakonshëm.
Sipas tij, kjo është ëndërr e bërë realitet, por që Kosova duhet të mos ndalet dhe të vazhdojë me rezultate pozitive në dy ndeshjet gjysmëfinale dhe finale të “Play-Offit” për t’i kualifikuar në Evropianin 2020.
“Ishte e mrekullueshme që realizuam menjëherë. Ishte më e rëndësishmja që skuadra ishte e gatshme për luftë që nga fillimi. Është e mrekullueshme sepse mund të fitojmë. Të fitojmë dy ndeshje për Kampionatin Evropian. Është e mahnitshme. Tani kemi kualifikimet tjera, por në kokë gjysmëfinalja dhe pas saj ndoshta finalja. Është mirë për motivin e lojtarëve”, ka thënë Challandes pas fitores 4 me 0 në ndeshjen vendimtare ndaj Azerbajxhanit në Ligën D.
Ai nuk e ka fshehur dëshirën dhe mundësinë që Kosova mund të kualifikohet edhe në Kampionatin Evropian të Futbollit, pasi kjo mundësi mund të përcaktohet në vetëm dy lojë.
“Do të isha një idiot i plotë, po të mos e mendoja që nuk është i mundshëm kualifikimi. Por me gjithë atë, më duhet të theksoj se nuk do të jetë e lehtë, pasi Maqedoninë do ta kemi kundërshtare dhe loja do të jetë jashtë. Nuk do të jetë e lehtë, por e mundur. Mund të themi se kemi ekip të mirë dhe kemi gati një vit për përgatitje dhe avancim. Muajin tjetër na pret shorti në Dublin, ta shohim kush do të na bije, a do të jetë Franca, Gjermania, apo kushdo tjetër, do të jetë e vështirë, por do të na ofrojë mundësi për t’u përmirësuar”, tha ai.