Vendimi për ta sanksionuar Roman Abramovichin dhe për të ngrirë asetet e tij e ka lënë Chelsean në situatë që të vazhdojë të luajë vetëm me miratimin e Qeverisë britanike në kushte të veçanta.
Abramovich 55-vjeçar është në mesin e shtatë oligarkëve rusë të ndëshkuar të enjten nga Administrata e e kryeministrit britanik Boris Johnson, për shkak të lidhjeve të afërta me Kremlinin dhe luftën e Rusisë ndaj Ukrainës që po futet në javën e tretë.
Sa i rëndësishëm është Abramovichi për Chelsean?
Abramovichi e transformoi Chelsean, klubin që e bleu në vitin 2003. Në fakt Abramovich shtangu futbollin në Angli në qershor të atij viti, duke e bërë Chelsean blerjen më të shtrenjtë të një klubi anglez. “Sapo pashë këtë lojë të jashtëzakonshme, menjëherë doja të isha pjesë e saj në një mënyrë apo në një tjetër”, tha Abramovich në një intervistë të rrallë për “Forbes” vitin e kaluar, kur u pyet se si erdhi deri te ideja për t’u futur në botën e futbollit. Rrjedha e investimeve - përpara se futbolli evropian të prezantonte rregullat e ferplejit financiar - lejoi shpejt një përmirësim të skuadrës që prodhoi titullin e parë të Anglisë në 55 vjet, kur Chelsea triumfoi në vitin 2005. Abramovichi ishte i pari prej pronarëve shumë të pasur që u fut në futbollin anglez, duke filluar një trend që vazhdoi me Manchester Cityn që përfitoi prej investimeve të Abu Dhabit në vitin 2008 dhe Newcastlet që prej vitit të shkuar po e përdorur fondin e pasurisë sovrane të Arabisë Saudite. Nën pronësinë e Abramovichit, Chelsea ka fituar pesë tituj kampioni në Premier League, përkrah dy trofeve të Ligës së Kampionëve. Triumfi në botërorin e klubeve muajin e shkuar kompletoi setin e sukseseve të mëdha të Chelseat. Suksesi është financuar me rreth dy miliardë euro kredi për klubin që Abramovich tha se nuk donte t’i shlyheshin, kur e nxori Chelsean në shitje javën e kaluar.
Pse u sanksionua Abramovichi?
Edhe
Edhe BE-ja sanksionon Abramovichin
Abramovich ka përdorur mjete ligjore në përpjekje për të distancuar veten publikisht nga përfitimi i shoqërisë me presidentin rus, Vladimir Putin. Qeveria britanike mendon ndryshe duke thënë se Abramovich ka marrë “një përfitim financiar ose përfitim tjetër material nga Putini dhe Qeveria e Rusisë”, duke përfshirë uljen e taksave, shitjen e aksioneve me tarifa të favorshme dhe kontrata në ndërtimin e Rusisë kur shteti bëhej gati për ta organizuar Kampionatin Botëror të vitit 2018. Abramovichi “është ose ka qenë i përfshirë në destabilizimin e Ukrainës” nëpërmjet “Evraz”, një kompani e prodhimit dhe minierave të çelikut të cilën ai e kontrollon dhe potencialisht ka furnizuar ushtrinë ruse, tha Qeveria britanike. Pasuria e tij u bë me naftë dhe alumin pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Në vitin 2005 gjiganti shtetëror rus i energjisë “Gazprom” pagoi 13 miliardë dollarë për kompaninë e naftës “Sibneft” të kontrolluar nga Abramovichi. Ky veprim i lejoi Kremlinit të Putinit të rimarrë ndikimin shtetëror në industrinë fitimprurëse të energjisë.
Cili është ndikimi te Chelsea?
Sanksionet ndaj Abramovichit mund ta kishin detyruar menjëherë Chelsean të ndalonte veprimtarinë si biznes dhe t'i pengonte ekipet zinxhirë të përfundonin sezonet e tyre. Në vend të kësaj është lëshuar një licencë e veçantë për ta lejuar atë të vazhdojë të funksionojë, duke iu nënshtruar kufizimeve të rënda.
Vetëm tifozët tashmë me bileta - kryesisht mbajtësit e biletave sezonale - mund të ndjekin ndeshjet, duke i përjashtuar tifozët e tjerë. Dyqani i klubit duhej të mbyllej të enjten në mëngjes.
Stafi në hotelin e ndërtuar në stadiumin “Stamford Bridge” tha se kishin urdhër që të mos pranonin më rezervime të reja, si dhe të mos shisnin ushqime apo pije. Vetëm 600 mijë euro mund të shpenzohen për organizimin e çdo ndeshjeje në “Stamford Bridge”, duke përfshirë sigurinë dhe ushqimin. Një maksimum prej 23 mijë eurosh mund të shpenzohet për udhëtime nëpër ndeshje.
Chelsea luan në Francë te Lille në Ligën e Kampionëve javën e ardhshme. Rekrutimi i lojtarëve është gjithashtu i ndaluar sipas kushteve të licencës qeveritare që është në fuqi deri më 31 maj. Ka lojtarë me kontrata që u skadojnë në fund të edicionit, në muajin qershor, dhe sanksionet krijojnë pasiguri nëse Cesar Azpilicuetas, Antonio Ruedigerit e Andreas Christensenit mund t’u ofrohen kontratat e reja.
A mund të shitet Chelsea?
Ndërsa thirrjet në Parlamentin britanik u shtuan për sanksionimin e Abramovichit, Chelsea u nxor në shitje.
Edhe
Vendimi i Abramovichit për ta shitur Chelsean shënon fundin e një epoke të jashtëzakonshme
“Kam udhëzuar ekipin tim të krijojë një fondacion bamirësie ku të gjitha të ardhurat neto nga shitja do të dhurohen”, tha Abramovich. “Fondacioni do të jetë në dobi të gjitha viktimave të luftës në Ukrainë”. Në shikim të parë kjo deklaratë e Abramovichit, kur e nxori Chelsean në shitje javën e shkuar para se të sanksionohej, jepte përshtypjen se ishte një ent në të cilin do të përfshihej personalisht biznesmeni rus. Megjithatë, prej këtij fondacioni mund të kishin përfituar edhe viktimat ruse. Chelsea kërkoi blerës dhe bëri me dije se ofertat duhej të regjistroheshin brenda javës së ardhshme. Mirëpo, tani Qeveria britanike ka mbikëqyrjen e gjithë këtij procesi.
“Ndërsa licenca aktuale nuk e lejon shitjen e klubit në këtë kohë, Qeveria është e hapur për shitjen e klubit dhe do të shqyrtojë një aplikim për një licencë të re për të lejuar shitjen”, tha Qeveria në njoftimin e saj. “Të ardhurat nga çdo shitje nuk mund të shkojnë për individin e sanksionuar, përderisa ai është subjekt i sanksioneve”.