Futbollisti i përfaqësueses së Kosovës, Bersant Celina ka marrë më së shumti përkrahje te skuadra e Dijonit. Ai është lojtari më i votuar nga tifozët e skuadrës franceze në një sondazh të hapur ku është vlerësuar më i miri i edicionit.
Megjithatë, Celina është i zhgënjyer që bashkëlojtarët nuk po mund t’i shfrytëzojnë pasimet e tij për të shënuar.
“Unë kam besim se shokët e mi të skuadrës do të shënojnë”, ka thënë Celina. 24-vjeçari në 12 ndeshje ka kontribuar me dy asistime. Me paraqitjet e Celinës është ndarë i kënaqur edhe trajneri David Linares. “Ai është një lojtar që shpejtë u përshtat në rolin e organizatorit. Unë mendoj se ai duhet të përparoj më shumë edhe në përfundimin e aksioneve”, ka thënë Linares. Celina iu bashkua Dijonit në shtator të këtij viti nga skuadra e Swanseas.