Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Carlos Alcaraz mbret i ri i “Wimbledonit”

Carlos Alcaraz e fitoi titullin e kampionit në “Wimbledon” për herë të parë. Ai e ndali dominimin e Novak Gjokoviqit, pas një paraqitjeje mbresëlënëse të dielën.

Spanjolli Alcaraz, 20-vjeçar, luftoi shumë pas humbjes së setit të parë dhe triumfoi në fund me rezultatin 3:2 në sete, 1:6, 7:6 (8:6), 6:1, 3:6 dhe 6:4, kundër kampionit në fuqi.

Gjokoviqi e kërkonte triumfin e pestë rresht, të tetin në konkurrencën e meshkujve dhe Grand Slamin e 24-t – që të gjitha rekorde.

Por serbi u mposht nga bartësi i parë i turneut, Alcaraz, i cili tregoi aftësitë e tij dhe e fitoi trofeun e dytë madhor në karrierë.

“Është një ëndërr e bërë realitet për mua”, tha Alcaraz, i cili ishte duke luajtur në vetëm turneun e katërt në terren me bar.

“Edhe nëse do të mposhtesha, do të isha krenar me veten. Të jesh në gjendje të luash në nivele të tilla, në ngjarje të tilla, si djalosh 20-vjeçar, është diçka shumë e madhe. Jam shumë krenar me veten”, theksoi spanjolli.

Alcaraz e fitoi titullin e parë Grand Slam në “US Open” vitin e kaluar. Pasi e fitoi poenin vendimtar që ia siguroi triumfin, ai festoi i shtrirë në tokë dhe më pas e qëlloi topin me këmbë drejt turmës dhe vazhdoi me gëzim.

Të pranishmit në “Centre Court”, ndër ta edhe Princi dhe Princesha e Uellsit, aktori Brad Pitt dhe dy herë fituesi Andy Murray, u ngritën në këmbë për ta nderuar kampionin më të ri.

Ashtu siç e cakton tradita, Alcarazi vrapoi shkallëve të arenës për të shkuar te skuadra e tij, e përqafoi trajnerin, Juan Carlos Ferrero, që ishte i shoqëruar bashkë me familjen dhe shoqërinë.

Alcarazi bëhet tenisti i tretë më i ri që e fiton titullin e “Wimbledonit”, pas 17-vjeçarit Boris Becker në vitin 1985 dhe 20-vjeçarit Bjorn Borg në vitin 1976.

“Asnjëherë nuk dëshiron të humbësh ndeshje të tilla por mendoj se kur të qetësohen të gjitha emocionet, mund të jem shumë mirënjohës që arrita këtu”, tha Gjokoviq, i cili qau gjatë deklarimit pas ndeshjes.

“Kam fituar shumë ndeshje të vështira këtu. Ndoshta kam fituar shumë finale që është dashur t’i humbja dhe prandaj ndodhi kjo. Është vështirë të gëlltitet kjo kur je kaq afër. Humba nga një lojtar më i mirë, duhet ta përgëzoj atë dhe të vazhdoj tutje – shpresoj më i fortë”.

Finalja vuri përballë dy tenistët e parë në ranglistë.

Gjokoviqi fitoi në “Australian Open” dhe “French Open” këtë vit për të dalë para Rafael Nadalit me 23 trofe, ndërsa edhe një tjetër do ta barazonte me Margaret Courtin që ka 24 trofe të fituar gjithsej.

Në anën e kundërt, Alcarazi mundohej të tregonte se jo të gjithë të rinjtë mund të kalohen lehtë nga Gjokoviqi.

Alcarazi ishte i bindur se frika nuk do të ekzistonte në mendjen e tij. Por nuk u duk kështu në setin e parë, të cilin Gjokoviqi e fitoi për 34 minuta.

Alcarazi bënte shumë gabime, edhe për shkak të lojës së serbit që kthente shumë topa.

Por ai shpejtë e ngriti nivelin e lojës, e gjeti ritmin dhe shkëlqeu me poenë të jashtëzakonshëm.

Spanjolli e ktheu edhe qetësinë që ishte vendimtare.

Vazhdoi të luante me gjuajtje të fuqishme dhe e fitoi meçin që zgjati katër orë e 42 minuta.

Artikuj të ngjashëm