Francesco Caputo është shumë i lumtur që më në fund ka veshur fanellën e Italisë në moshën 33-vjeçare. Por ka pasur edhe një dozë pendese se si do të kishte mundur të jetë situata, po të mos e kalonte pjesën më të madhe të karrierës në rangje të ulëta të futbollit italian, shkruan agjencia Reuters.
Sulmuesi i Sassuolos u bë debutuesi i dytë më i vjetër në histori të përfaqësueses së Italisë, ndërsa luajti nga fillimi të mërkurën në fitoren 6:0 në miqësore ndaj Moldavisë. Ai realizoi golin e tij të parë me përfaqësuese pas vetëm 23 minutave lojë.
“Të debutoj me gol në përfaqësuese pas një rrugëtimi aq të gjatë, nuk ka mundur të jetë më mirë. Jam shumë i lumtur me atë që kam bërë dhe do të synojë të vazhdojë këtë rrugë”, ka thënë Caputo.
Por ka edhe një ndjenjë se ka mundur të shfrytëzonte më tepër potencialin e tij dhe se ai ka paguar për besnikërinë e treguar për Barin.
Caputo ndihmoi Barin të ngjitej në elitë në stinorin 2008-09, por u la jashtë planeve në stinorin vijues dhe u huazua te Salernitana, Ai mbeti në Serie B.
Ai më në fund luajti 12 ndeshje në Serie A me Barin në stinorin 2010-11, por sërish më pas u huazua në Serie B te Siena. Në total ka luajtur 89 ndeshje në Serie A dhe ka shënuar 41 gola.
“Të gjithë e kanë rrugën e vet. Ndoshta nuk e kam nxjerr maksimumin nga potenciali që kisha dhe ndoshta qëndrova tepër gjatë te Bari. Jam adhurues i Barit, por që kur jam larguar kam qenë më mirë”, ka thënë Caputo.