Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Caktohet gjyqtari i ndeshjes së parë në Botëror

Shtëpia e futbollit botëror, FIFA, ka njoftuar të premten se Daniele Orsato do të jetë gjyqtari i ndeshjes së parë në Botërorin që nis të dielën në Katar.

Italiani do ta drejtojë ndeshjen ndërmjet nikoqirit të Botërorit, Katarit, dhe Ekuadorit.

46-vjeçari Orsato ishte gjyqtar edhe në finalen e Ligës së Kampionëve të edicionit 2019-20, ku Bayern Munichu mposhti Paris Saint-Germainin 1:0.

Në Evropianin e vitit të kaluar, Orsato gjykoi në tri ndeshje, përfshirë atë të 1/8 së finales mes Suedisë dhe Ukrainës.

Në vitin 2020, Federata Ndërkombëtare e Futbollit për Histori dhe Statistika e shpalli Orsaton si gjyqtarin më të mirë të vitit.

Ndeshja Katar -Ekuador luhet të dielën prej orës 17:00 dhe hap Botërorin. Është ndeshja e vetme e së dielës.