Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Caktohet çmimi i biletave për ndeshjen me Malin e Zi

Prej 5 deri në 80 euro do të jetë çmimi i biletave për ndeshjen e futbollit ndërmjet përfaqësueses së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi, në kualifikueset për Evropianin 2020.

Kompania e angazhuar nga Federata e Futbollit e Kosovës për shitje të biletave ka njoftuar të martën për çmimin e biletave për ndeshjen që luhet më 14 tetor në Prishtinë.

Biletat për tribunat pas portave, përkatësisht veriore dhe jugore, do të kushtojnë 5 euro. Për tribunën lindore biletat do të kushtojnë 10 e 15 euro, ndërsa për tribunën perëndimore 15 dhe 20 euro. Biletat për zonën VIP kanë çmim prej 80 eurosh, raporton Koha Ditore.

Biletat do të dalin në shitje më 7 tetor në orën 16:00 dhe do të shiten “online”.

Edhe për miqësoren me Gjibraltarin, që luhet më 10 tetor, biletat kanë çmim të njëjtë. Ato kanë dalë tashmë në shitje dhe është raportuar të jetë shitur një pjesë e konsiderueshme e tyre.

Ka kohë që për përfaqësuesen e Kosovës në futboll ka interesim të madh. Biletat për ndeshjen e kaluar në shtëpi, atë ndaj Çekisë, janë shitur për pak minuta.