Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Caicedo, ylli i Botërorit që u shërua nga kanceri

(BBC) – Pasi firmosi me Real Madridin në muajin shkurt, Linda Caicedo nuk festoi me familjen apo shokët. Në vend të kësaj, 18-vjeçarja po telefononte një të ri me kancer, që do t’i nënshtrohej operacionit në shtetin e futbollistes, në Kolumbi.

Kjo tregon se cilat janë prioritetet e Caicedos. Ajo është prej yjeve të reja të Kampionatit Botëror për futbolliste, që po mbahet në Australi dhe Zelandë të Re. Caicedo po shkëlqen në fushën e futbollit, por e di se në jetë ka shumë gjëra më të rëndësishme se futbolli.

Rrugëtimi i saj i deritashëm përfshinë debutimin profesional dhe ndërkombëtar në moshën 14-vjeçare, diagnostikimin me kancer në moshën 15-vjeçare dhe kalimin në njërin prej klubeve më të famshme në botë.

Hapi i fundit në këtë rrugëtim u bë në Sydney, ku ajo shpërtheu në krahun e majtë dhe gjuajti saktë, në fitoren e Kolumbisë ndaj Koresë së Jugut. Ishte vetëm fitorja e dytë e Kolumbisë në Kupën e Botës për futbolliste.

Me 18 vjet e 153 ditë, Caicedo u bë futbollistja e dytë më e re nga Amerika e Jugut që shënoi gol në Botëror. Vetëm legjenda braziliae, Marta, ka shënuar në moshë më të re.

Krahasimi me Martan është gjithnjë gjë e madhe në futboll. Por Caicedo mund ta përballojë këtë krahasim. Këtë e dëshmoi edhe të dielën kur shënoi supergol në fitoren shokuese të Kolumbisë ndaj Gjermanisë, njërës prej përfaqësueseve më të forta në botë.

Ajo ishte figura kryesore prapa rritjes së futbollit të femrave në Kolumbi. Kolumbia është kualifikuar për herë të parë në Botëror në vitin 2011, por është në rritje të vazhdueshme prej atëherë.

E lindur në qytetin Candelaria, Caicede vjen nga një familje e varfër, ndërsa nuk ka harruar asnjëherë sakrificën e bërë për të prekur majën e futbollit. Së fundi ajo udhëtoi për në Candelaria dhe dhuroi 100 pako me gjëra ushqimore për njerëzit në nevojë. Nuk u shoqërua nga mediat në këtë mision.

Ajo ka raport shumë të mirë me trajnerin e Kolumbisë, Nelson Abadia, që është në krye të përfaqësueses që nga vitit 2017. Më herët për tri vjet ishte në shtabin teknik të Kolumbisë.

“Në vitin 2016 unë nisa me kategoritë e reja. E kisha Lindën aty. I kishte vetëm 12 vjet dhe unë e mora në përfaqësuese. Ajo u zhvillua prej aty”, ka thënë Abadia.

Caicedo debutoi në futbollin e të rriturave me klubi America de Cali, në Kolumbi, në korrik të vitit 2019. Ishte 14-vjeçe. Në nëntor të vitit 2019 ajo u ftua për herë të parë në përfaqësuese.

Rritja meteorike u ndërpre në vitin 2020. Gjatë pandemisë Covid19, Caicedo nisi të ndiejë dhembje në bark. Pas testeve, ajo u njoftua se ka kancer ovarian. Dy javë pas diagnozës, në mars të vitit 2020, Caicedo kishte operim për të larguar tumorin. Kjo përfshinte heqjen e një prej vezoreve të saj.

Caicedo ishte në gjendje të shërohej nga sëmundja. Meritat për këtë ia lë përkrahjes së madhe nga familja dhe nga trajneri i përfaqësueses, Abadia.

“Ishte proces i vështirë, por falë Zotit e kam kaluar me sukses. Familja ime ishte gjithnjë pas meje dhe trajneri ishte gjithnjë afër. Ai ma ka telefonuar shpesh. Kur është dashur të operohem jam ndier shumë keq. Kam menduar se nuk mund të luaj më në futbollin e nivelit të lartë. Ai më ka thënë të relaksohem, më ka bindur se do të kthehem. Kështu që dua ta falënderoj trajnerin. Për njerëzit që kanë vështirësitë që unë i kisha, jam shembull se çdo gjë mund të kalohet”.

Pas operacionit, Caicedo nisi periudhën prej gjashtë muajsh me kimioterapi. Disa ditë pasi përfundoi trajtimin, pasi iu deklarua se nuk ka kancer, Caicedo u kthye në stërvitje.

Ajo vazhdoi të luaj për Deportivo Cali dhe për përfaqësuese. Vazhdoi të luaj edhe me përfaqësueset e grupmoshave. Vitin e kaluar luajti në katër gara të ndryshme ndërkombëtare. Ishte në Kampionatin U17 të Amerikës së Jufut, në Botërorin U20, në Botërorin U17 dhe në Copa America.

Në Copa America ajo dëshmoi potencialin e jashtëzakonshëm. Me 17 vjet u shpall lojtarja më e mirë, ndërsa Kolumbia arriti në finale si nikoqire. Humbi 1:0 nga Brazili, por bëri mjaftueshëm sa për të arritur në Botëror.

Në shkurt të këtij viti, disa ditë pasi mbushi 18-vjet, Caicedo firmosi me Real Madridi. U bë njëra prej shtatë lojtareve të Kolumbisë në kampionatin spanjoll.

“Ju duhet të lini vendin tuaj për t’u zhvilluar. Përkrahja e shikuesve dhe stafit të trajnerëve më ndihmon shumë. Kështu e kam siguruar vendin te Real Madridi. Kam luajtur për U17, U20 dhe tani të jem në Kupën e Botës me lojtare me kaq përvojë, do të thotë shumë. Përvoja të ndihmon shumë. Këtë e kam kuptuar në çdo fazë të karrierës. Mendoj se kjo Kupë e Botës është shumë fizike dhe do të më shërbejë shumë. Jam ende shumë e re, kam shumë gjëra për të mësuar. Po fitoj përvojë në çdo me këtë ekip. Është Botërori im i parë për të rritura dhe dua ta shijoj maksimalisht. Kam shumë kohë para vetes”, ka thënë Caicedo.

Ndihmës-trajneri te Kolumbia, Angelo Marsiglia, e ka përshkruar Caicedon si të jashtëzakonshme.

“Ajo e dëshiron topin. Nuk fshihet asnjëherë, është nga planet tjetër. Është plotësisht unike”, ka thënë Marsiglia.

Artikuj të ngjashëm