Sport

Butter, ish-bankieri që vrapoi 196 maratona në 196 shtete

Rreth 17 mijë vrapues morën pjesë në Maratonën e këtij viti në Athinë, por askush nuk kishte ndërmarrë një udhëtim sikurse Nick Butter, që ishte në vijën e startit. Gara e vërtetë e Butterit kishte filluar 674 ditë më parë në të ftohtin -25 gradë celsius të Torontos.

Athina, ndalesa e fundit e përpjekjes së tij për të vrapuar nga një maratonë në të gjitha 196 vendet e botës, ishte thjesht një përfundim i sprintit.

Ajo që ai duroi midis këtyre dy ngjarjeve ishte e mjaftueshme për të mos vrapuar fare në maratonën e fundit, por Butter ishte i vendosur për ta përfunduar misionin e tij, shkruan CNN, transmeton Koha Ditore. Ai në fund tha se misioni i tij doli të jetë i suksesshëm dhe tani po shikon drejt sfidave tjera të vrapimit.

“Duhet të flas me javë të tëra për të shpjeguar të gjitha ato që i përjetova për 674 ditë nëpër qytetet e ndryshme të botës. Natyrisht, nuk ishte aspak lehtë, por unë isha i vendosur për të kompletuar misionin tim”, tha Butter 30-vjeçar.

Numrat që qëndrojnë pas kësaj arritjeje unike janë të jashtëzakonshëm dhe Butter mund t'i përmendë ata sikurse po e thotë në shkollë tabelën e shumëzimit. Ata numra përfshijnë 455 fluturime të rezervuara nga babai i tij, 120 viza dhe dhjetë milionë hapa të vrapimit. Butter përfundoi 22 maratonat e para me helmim nga ushqimi, si dhe më vonë përjetoi infeksion të veshkave. Gjithashtu, pati edhe dhimbje stomaku dhe i kaloi 320 ditë pa qetësues kundër dhimbjeve.

“Uljet e udhëtimit që i përjetova ishin mjaft ekstreme”, tha Butter, i cili hoqi dorë nga puna e tij si bankier katër vjet më parë për të planifikuar dhe përfunduar përpjekjen për këtë rekord.

“Nga sulmimi dhe kafshimi i qenve, nga të qenit i trazuar nga sulmi me thikë në Nigeri, nga goditja me makinë dhe thyerja e bërrylit. Por në të vërtetë ishin sëmundjet që ishin betejat e vërteta. Kur vuani nga helmimi me ushqim ose nga një infeksion i veshkave, kjo është kur trupi juaj me të vërtetë dëshiron të ndalet dhe kërkon të shërohet, por nuk isha në gjendje ta bëja një veprim të tillë. Në Bangladesh po ndihesha vërtet keq dhe mendoj se gjatë vrapimit kam vjellë deri në 20 herë”.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)