Sulmuesi kosovar Albert Bunjaku prej së premtes është futbollist i lirë.
Ai është ndarë me skuadrën e tij të deritashme, Erzgebirge Aue, që garon në Bundesliga 2 të Gjermanisë. Bunjaku 34-vjeçar është ish-futbollist i Zvicrës dhe i Kosovës.
Me Zvicrën është paraqitur edhe në botërorin e vitit 2010, ndërsa për Kosovën ka luajtur në shumë miqësore në periudhën prej vitit 2014 deri në vitin 2016, shkruan sot Koha Ditore.
Në vitin 2016, i pakënaqur me hapësirën që për të ofronte përzgjedhësi Albert Bunjaki, vendosi që të mos paraqitej më për Kosovën. Ai ka bërë karrierë të gjatë në Zvicër e Gjermani, ndërsa ka luajtur edhe në Bundesligë. Ka luajtur për skuadra si Shcaffhausen, Paderborn, Erfurt, Nuernberg, Kaiserslautern, St. Gallen e Aue.
Ai me Auen kishte kontratë deri në vitin e ardhshëm, por ajo është shkëputur me marrëveshje të dyanshme. Bunjaku ka luajtur për Auen prej janarit të vitit 2017, kur ishte transferuar nga St. Galleni. Në 24 ndeshje ka realizuar një gol.
Bunjaku mbahet mend për 13 golat e shënuar në Bundesligë, në 48 paraqitje për Nuernbergun nga viti 2009 deri në vitin 2012.