Sport

Bunjaku ëndërron të luajë edhe një minutë të fundit me Kosovën

Për gati dy dekada karrierë si futbollist profesionist, Albert Bunjaku ka arritur t’i bëjë realitet disa ëndrra. Ka arritur të luajë në Bundesligë me Nuernbergun, ta përfaqësojë Zvicrën, vendin që i dha shumë mundësi dhe Kosovë, vendin e lindjes. Me Zvicrën ka luajtur në Botërorin “Afrika e Jugut 2010”, kurse me Kosovën në kualifikimet e Botërorit “Rusia 2018”.

Por, ai ka edhe një ëndërr të fundit që shpreson se do t’i bëhet realitet.

“Do të ishte edhe një ëndërr tjetër e realizuar sikur Kosova do të ma mundësonte ndeshjen përshëndetëse në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, qoftë edhe një minutë”, ka thënë të dielën Bunjaku në një bisedë për “KOHËN”. “Do të ishte për mua një mbrëmje madhështore. Jam ndier mirë kur e kam veshur fanellën e Kosovës dhe do të më mbetej meraku i jetës nëse nuk do të kisha një ndeshje përshëndetëse. Nuk ka rëndësi a do të ishte ajo në kuadër të kualifikimeve apo miqësoreve, por vetëm një minutë sa për t’u përshëndetur. Nuk i bëj presion askujt, por për mua do të ishte një tjetër ëndërr e realizuar”, është shprehur futbollisti i lindur në Gjilan.

“Ka qenë emocion i madh ta përfaqësoj vendin e lindjes. Edhe në Kupën e Botës kam luajtur, por për Kosovën e sidomos në ndeshjen kundër Haitit kam përjetuar një emocion të madh”, ka theksuar Bunjaku që për Kosovën nga viti 2014 deri në vitin 2016 ka shënuar tre gola në gjashtë paraqitje.

Puna me Challandesin te Shpresat e Zvicrës

Te Kosova nuk e kanë mohuar që Bunjaku mund ta ketë një mundësi të dytë, meqë me skuadrën e tij Viktoria Koeln në Bundesliga 3 gjermane është duke kaluar formë të mirë.

Një anëtar i ekipit përfaqësues të Kosovës në kushte anonimiteti, ka thënë se Bunjaku mund të ftohet nga Challandes.

Për Challandesin, Bunjaku nuk është lojtar i panjohur. Trajneri zviceran sa ka qenë përzgjedhës i Shpresave të Zvicrës e ka aktivizuar në dy ndeshje.

“Nuk kam pasur asnjë kontakt me asnjë prej udhëheqësve të Kosovës, por kam luajtur dy herë tek ekipi U-21 i Zvicrës në kohën kur është udhëhequr nga trajneri Bernard Challandes. Nuk jam i panjohur për të dhe shpresoj ta kem mundësinë ta realizoj ëndrrën”, ka thënë Bunjaku, që për ekipin “A” të shtetit helvetik ka luajtur në gjashtë ndeshje nga viti 2009 deri në vitin 2010, kur edhe ishte pjesë e përfaqësueses zvicerane në Kupën e Botës në Afrikë të Jugut së bashku me dy futbollistët e tjerë nga Kosova Xherdan Shaqiri dhe Valon Behrami. Ky i fundit është pensionuar, derisa Shaqiri është lider te Zvicra.

Në Kupën e Botës së vitit 2010, Bunjaku pati luajtur 13 minuta. Futbollisti nga Gjilani ishte aktivizuar në minutën e 77-të te Zvicra që pati humbur në kuadër të grupeve nga Kili me rezultatin 1:0.