Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Buffon s'e ka të garantuar vendin e titullarit te Parisi

Në dy ndeshjet e para të “International Champions Cup”, portieri italian Gianluigi Buffon ishte titullar te Paris Saint-Germaini.

Të dy këto ndeshje ekipi nga Ligue 1 i humbi, kurse Buffon pësoi katër gola, që duket se mjaftuan për trajnerin Thomas Tuchel për të mos e aktivizuar në ndeshjen e tretë, atë që e fitoi të hënën ndaj Atletico Madridit, shkruan AFP, transmeton “Koha Ditore”.

Në këtë ndeshje, Tuchel tërë kohën e ka mbajtur në portë portierin gjerman Kevin Trapp dhe me këtë veprim ai ka paralajmëruar Buffonin se nuk e ka të sigurt vendin në portën e PSG-së për edicionin 2018/19.

Buffon gjatë kësaj vere iu bashkua ekipit francez si futbollist i lirë, duke firmosur kontratë njëvjeçare me opsion vazhdimi edhe për një vit tjetër. Italiani 40-vjeçar, është njëri ndër portierët më të vlerësuar në botë dhe ka vendosur që karrierën ta vazhdojë diku tjetër pas 17 vjetësh te Juventusi. Ai ka edhe 176 paraqitje me Italinë.

Krahas Buffonit e Trappit, Tuchel në ekip ka edhe Alphonse Areolan që ishte portieri i tretë te Përfaqësuesja e Francës, e cila u shpall kampione e botës.

“Buffoni nuk frikësohet të luftojë për vendin e titullarit, por as Kevin e Alphonse nuk frikësohen të bëjnë një gjë të tillë. Kjo konkurrencë më pëlqen shumë dhe do të kisha dashur që ta kemi në çdo pozitë”, ka deklaruar Tuchel. “Kjo është situatë që duhet vlerësuar me kujdes dhe kur të vijë koha e duhur të vendosi. Për momentin jam i pavendosur sa i përket numrit një në portë” ... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Artikuj të ngjashëm