Sulmuesi i Shqipërisë, Armando Broja është i gatshëm për lojë pasi është rikuperuar nga lëndimi që e la jashtë fushe për më shumë se tetë muaj.
Mediumet britanike kanë raportuar të martën se Broja do të ftohet nga trajneri i Chelseat, Mauricio Pochettino për ndeshjen ndaj Bournemouthit, e cila zhvillohet të dielën. Mësohet se Broja ka lënë pas vetes lëndimin dhe fazën rehabilituese pas operimit për të qenë në dispozicion te skuadrës londineze.
Ai pritet të jetë në listën e ekipit për ndeshjen e xhiros së pestë të kampionatit anglez, të cilën Chelsea e luan në udhëtim. Broja këtë edicion ende nuk e ka asnjë paraqitje për Chelsean, ekip që refuzoi të gjitha ofertat për të gjatë afatit kalimtar të verës.