Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Broja dhe Prenga nuk i frikësohen Spanjës

Armando Broja dhe Herdi Prenga respektojnë futbollistët e Spanjës. Por, të dy futbollistët e Shqipërisë kanë thënë të enjten në konferencën për media se nuk i frikësohen Spanjës. Broja, madje, ka thënë se synon fitore përballë Spanjës. Broja ëshë një nga lojtarët më në formë te Shqipëria.

Ndeshja miqësore në mes të Shqipërisë dhe Spanjës luhet të shtunën në Barcelonë.

“Jemi gati fizikisht si ekip, e dimë se do të jetë ndeshje e vështirë kundër Spanjës. Grumbullimi po shkon shumë mirë deri, po stërvitemi mirë. Urojmë të fitojmë kundër Spanjës. Kam luajtur kundër dy mbrojtësve të Spanjës, por është ndeshje ndryshe. Do jetë shumë e vështirë nesër, Spanja ka ekip të fortë, por edhe në jemi ekip i mirë. Kemi kualitetin tim si ekip. Po stërvitemi mirë dhe uroj të fitojmë”, ka thënë Broja në konferencën për media.

Aktualisht sulmuesi është lojtar i Southamptonit. Është huazuar nga Chelsea te Southamptoni deri në fund të sezonit aktual ku ka shkëlqyer me nëntë gola dhe një asistim në 31 ndeshje në të gjitha garat.

Broja thotë se Shqipëria është ngritur si ekip dhe se mund t’i bëjë ballë edhe ekipeve të forta evropiane.

“Ne futemi në fushë për të fituar ndeshjet, ndaj kujtdo. Spanja ka ekip të fortë. Kemi ekip të mirë dhe të fortë, nuk kemi frikë asnjë ekip. Do luajmë me taktikat tona dhe shpresoj të fitojmë. Miqësoret janë të mira për të marrë eksperiencë, uroj të fitojmë ndaj Spanjës. Edhe e prisja dhe nuk e prisja ta nisja kaq mirë. E dija se ishte e vështirë në sezonin e parë në Premier League, por kam pasur besim te vetja. E dija se me stërvitje dhe këmbë në tokë do bëja mirë. Shpresoj të vazhdoj përpara”, është shprehur Broja 20-vjeçar.

Edhe Spanja mbështetet në mesfushën cilësore Botërori 2026 Spanja mbështetet në mesfushën cilësore

Ndërkohë, mbrojtësi Herdi Prenga uron të ketë mundësi të luajë në këto dy miqësore.

“Kam qenë në kombëtare para katër vitesh. Sigurisht jam i kënaqur që jam sërish me çunat dhe kombëtaren. Falënderoj trajnerin për ftesën, do të jap maksimumin dhe do të mundohem të ndihmoj ekipin. Minutat që kam pasur në Hungari më kanë ndihmuar të jem sërish në kombëtare. Jam paraqitur mirë aty dhe mora ftesën. Sigurisht, ata janë lojtarë që luajnë në një nga kampionatet më të fortë në botë, kanë eksperiencë, kualitet dhe mund të mësoj shumë gjëra nga ata. Unë do të jap maksimumin në stërvitje, pastaj e vendos trajneri sa minuta do të më japë ose nuk do të më japë. Të shohim”, ka thënë Prenga.

Pas miqësores ndaj Spanjës, Shqipëria e pret Gjeorgjinë në Tiranë më 29 mars.