Sport

Brenda sportit të bukur e të rrezikshëm

Lizzie Williams e përshkruan dokumentarin për nxitëset e tifozëve “Cheer”, të realizuar nga gjiganti Netflix, si të mahnitshëm. Ishte hera e parë që nxitësja e tifozëve kishte parë një shfaqje reale të punës së saj - koreografinë e saktë, rrotullimet që luftojnë gravitetin dhe shumë gjëra të tjera që kërkohen për nxitje në këtë që është quajtur “sport rraskapitës”.

Dokumentari me gjashtë episode, i cili u transmetua në janar, ndjek nxitëset kampione nga kolegji “Navarro” në Teksas, ndërsa ato po mbronin titullin kombëtar. Ky dokumentar është mirëpritur ngrohtësisht nga nxitëset e tifozëve elitare (“cheerleaders”) në Britani dhe trajnerët janë gëzuar që sporti i tyre më në fund ka dalë në qendër të vëmendjes, shkruan The Guardian.

“Shumica e njerëzve nuk e shohin këtë si sport, sepse shikojnë vetëm anën e vallëzimit. Ata nuk e kuptojnë se ky është një sport shumë i vështirë dhe sfidues për të garuar”, thotë Williams 26-vjeçare, derisa e praktikonte me ekipin “Unity Allstars Black” në jug të Londrës, transmeton Koha Ditore.

“Ne ëndërrojmë që një ditë të renditemi në vendin e parë në botë për këtë sport. Të gjithë sakrifikohemi shumë për t’i bërë gjërat ashtu si duhet. Një gabim më i vogli të kushton me lëndim, por njëkohësisht edhe me dështim të grupit”, shpjegon Williams.

Shumica i njohin nxitëset e tifozëve (“cheerleaders”) si lloj valltaresh që kërcejnë mes pauzave të ndeshjeve të ndryshme, por e vërteta është se ato kanë edhe një garë mes vete. Organizohen gara, madje edhe kampionate botërore ku grupet e nxitëseve të tifozëve luftojnë për kurorën e më të mirit.

Grupi britanik, që garon në të njëjtin nivel me “Navarron” në SHBA, vitin e shkuar zuri vendin e shtatë në botë.

Dokumentari që u lansua si premierë këtë vit për nxitjen e tifozëve ka bërë bujë në Britaninë e Madhe. Tori Rubin, bashkë-menaxhere e ekipit nxitës të Anglisë dhe bashkëpronare tek Unity Allstar, tha se e themeloi kompaninë në vitin 2006 me një grup të vogël, por tash mund të krenohet me numrin e madh të grupeve që stërvitin. Aktualisht, në palestrën “Unity Allsatar” stërvitin hiq më pak se 23 grupe të nxitjes së tifozëve. Trendi i këtij sporti ka pasur jehonë në të gjithë vendin, me rreth 89 mijë atletë që garojnë në nivel rajonal dhe kombëtar.

Skuadra e vetme britanike e nivelit botëror

“Është një sport i shkëlqyeshëm, sepse është punë ekipore, ka të bëjë me atletët që punojnë së bashku për të krijuar diçka spektakolare. Kam qenë gjimnaste dhe mund të them se natyra e sportit të nxitjes së tifozëve është shumë e vështirë. Këtu të gjitha gjërat duhet të shkojnë nën një ritëm”, shtoi Rubin, duke dhënë vlerësime maksimale për dokumentarin, që sipas saj më në fund ka nxjerrë në pah të vërtetën e këtij sporti. “Stërvitjet për nxitjen e tifozëve janë shumë të vështira, ndoshta edhe më të vështira sesa ato në gjimnastikë. Pra, tashmë të gjithë e dinë se në sportin e nxitjes duhen disa elemente të tjera përveç brohoritjes. Është shumë vështirë, por pasi të futesh në këtë sport, atëherë fiksohesh automatikisht”.....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)