Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Brazili eliminohet nga Botërori

Përfaqësuesja e Brazilit është eliminuar nga Kampionati Botëror i futbollisteve që po mbahet në Australi dhe Zelandë të Re. Futbollistet e Brazilit nuk kanë arritur të avancojnë nga faza e grupeve, pasi në ndeshjen e fundit kanë barazuar me Xhamajkën.

Në duelin e luajtur të mërkurën në kuadër të Grupit F, rezultati ishte 0:0. Me këtë barazim, Brazili ka përfunduar në pozitën e tretë në grup me 4 pikë, një më pak se Xhamajka që siguroi vendin e dytë dhe avancoi në fazën nokaut.

Në tri ndeshje të luajtura në grup, Brazili regjistroi një fitore, një barazim dhe një humbje. Ndërkohë, prej këtij grupi ka avancuar edhe Franca, e cila përfundoi e para në tabelë me 7 pikë të tubuara pas tri ndeshjeve të zhvilluara.

Në duelin e fundit, Franca triumfoi 6:3 ndaj Panamasë, e cila Botërorin e mbylli në pozitën e fundit në tabelë pa pikë.

Futbollistet e Francës qysh në pjesën e parë, i dhanë fund dilemës së fituesit pasi shënuan katër gola, duke i mbyllur 45 minutat e para me avantazhin 4:1.

Në pjesën e dytë, Franca realizoi edhe dy herë për ta konfirmuar fitoren ndaj Panamasë, që shënoi edhe dy gola tjerë.

Artikuj të ngjashëm