Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Brazili e zëvendëson Argjentinën si organizator i Copa Americas

Turneu Copa America është zhvendosur nga Argjentina në Brazil, pasi vazhdon frika për situatën me koronavirusin.

Pasi u shty për një vit shkaku i Covid-19, turneu ishte paraparë të fillonte më 13 qershor në Argjentinë, por CONMEBOL-i ka njoftuar se Copa America nuk do të zhvillohet në Argjentinë, shtet ky që është zëvendësuar me Brazilian.

Argjentina aktualisht është në izolim total shkaku i situatës me pandeminë dhe të gjitha ndeshjet e futbollit janë anuluar, arsye kjo që dërgoi në ndërrimin e organizatorit.

Gjasat ishin të mëdha që Copa America të shtyhej sërish, por në momentet e fundit u mor vendimi që të mbahet në Brazil.

“Edicioni 2021 i Copa Americas do të luhet në Brazil. Datat e fillimit dhe përfundimit të turnet tashmë janë të konfirmuara, kurse së shpejti do të bëhet i ditur edhe orari i ndeshjeve”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e CONMEBOL-it.

Në fakt, Kolumbia dhe Argjentina ishin bashkorganizatore të Copa Americas, por për shkak të protestave kundër qeverisë kolumbiane, CONMEBOL-i vendosi që turneu të mos mbahet në këtë shtet.