Mbrojtësi i Juventusit, Leonardo Bonucci, ka qëndruar prapa deklarimeve të tij se bashkëlojtari Moise Kean ishte pjesërisht fajtor për abuzimin racor, por ka insistuar se është kundër diskriminimit.
Bonucci ka nxitur shumë reagime të martën në mbrëmje pasi deklaroi se Kean kishte provokuar abuzimet që mori nga fansat e Cagliarit gjatë fitores së Juventusit 2 me 0.
“Kean e di se kur ai shënon, duhet të fokusohet në festimin me bashkëlojtarët. Ai e di se mund të kishte bërë diçka tjetër po ashtu. Kishte thirrje raciste pas golit, Blaice i dëgjoi dhe ishte i nervozuar. Mendoj se faji është 50-50 sepse Moise nuk duhej të bënte ashtu dhe tifozët nuk duhej të reagonin në atë mënyrë”, kishte thënë Bonucci pas takimit. “Jemi profesionistë, duhet të japim shembull dhe të mos provokojmë askënd”.
31-vjeçari u kritikua ashpër në rrjete sociale dhe u kundërpërgjigj me një mesazh në Instagram duke theksuar se është kundër racizmit, por duke mos tërhequr komentet e mëhershme.
“Pavarësisht gjithçkaje, në çdo rast... jo racizmit”, ka shkruar ai.