Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Blick “sulmon” Shaqirin, shkruan se shkëlqeu vetëm para e pas ndeshjes

Paraqitja e Xherdan Shaqirit në ndeshjen ndaj Kosovës nuk i ka impresionuar gazetarët e mediumit të fuqishëm zviceran “Blick”.

“Blick” ka shkruar të dielën se Shaqiri ka shkëlqyer vetëm para e pas ndeshjes në Prishtinë, duke sulmuar indirekt futbollistin shqiptar.

Kosova e Zvicra barazuan 2:2 të shtunën mbrëma, ndërsa Shaqiri nuk ishte prej lojtarëve më aktivë në fushë. Atij iu bë pritje e ngrohtë në “Fadil Vokrri”, ndërsa ylli i madh u përgjigj njëjtë – me respekt të skajshëm ndaj gjithë pjesëmarrësve.

“Blick” ka shkruar për faktin se Shaqiri mbajti dorën në zemër kur u intonua himni i Kosovës dhe që ia dha fanellën një tifozi pas ndeshjes. Gazeta zvicerane ka shkruar se Shaqiri është për ndeshje të mëdha dhe se e tillë për të ishte edhe ndeshja në Prishtinë.

“Por Shaqiri qëndroi i heshtur. Një gjuajtje e pasuksesshme pas nëntë minutave dhe një pasim për 2:1. Nuk kishte shumë më tepër të shtunën mbrëma. Jo të paktën gjatë ndeshjes”, ka shkruar “Blick” të dielën.

Edhe Shaqiri e Xhaka u larguan nga Kosova me përshtypjet më të mira Sport 2 v. më parë Shaqiri e Xhaka u larguan nga Kosova me përshtypjet më të mira

Veprimi i Shaqirit para ndeshjes mori vëmendjen e mediumit zviceran. Ai veproi si gjithë lojtarët e Kosovës, duke respektuar himnin e shtetit ku ka lindur.

“Të gjithë e dinë që jam i lindur këtu, që kam rrënjët këtu. Kam bërë këtë veprim për respekt ndaj Kosovës”, ka thënë Shaqiri.

Shaqiri u duartrokit për veprimin e tij e edhe më tepër kur la fushën në minutën e 84-t. “Ndoshta edhe për faktin që nuk shkëlqeu në fushë”, ka komentuar “Blick”.

Pas ndeshjes, Shaqiri ia dha fanellën një tifozi me aftësi të kufizuara. Më pas u shpreh i lumtur e edhe pak i mërzitur.

Edhe Xherdan Shaqiri: I nderuar që luajta në “Fadil Vokrri” Sport 2 v. më parë Xherdan Shaqiri: I nderuar që luajta në “Fadil Vokrri”

“Jam krenar që luajta këtu. Është diçka që e kam ëndërruar gjithnjë. Por në fund jam i dëshpëruar që nuk fituam. Është dashur të kthehemi me fitore 2:1”, ka thënë Shaqiri.

“Blick” ka shkruar se Xherdani nuk bëri dallimin në Prishtinë. “Ndoshta për shkak të kësaj ai bëri shumë njerëz të lumtur në ‘Fadil Vokrri’”.