Kampionia e Kosovës në hendboll, Besa Famgas, e ka kaluar kundërshtarin e parë evropian, ndërsa asnjëherë nuk ia ka dalë të kalojë më shumë se një kundërshtar në kupa evropiane. Gjasat që këtë edicion ekipi pejan të bëjë hap para nuk vlerësohen shumë të mëdha për shkak të nivelit që e ka kundërshtari i tij.
Në kuadër të raundit të dytë të Kupës së EHF-së, Besa Famgas të dielën nga ora 18:00 takohet me Drammenin, në qytetin me të njëjtin emër në Norvegji. Hendbolli në Norvegji vlerësohet të jetë në nivel të lartë dhe për këtë arsye te Besa janë shprehur të matur për gjasat për sukses. Në raundin e parë të Kupës së EHF-së, Besa Famgas e eliminoi Batumin gjeorgjian duke e mposhtur në të dy ndeshjet që muajin e kaluar u luajtën në Pejë. Rezultati i përgjithshëm i dy takimeve ishte 67:42 në të mirë të Besës. Ekipi pejan të premten ka udhëtuar për në Norvegji. Ndeshja e kthimit do të luhet pas një jave në Pejë, përkatësisht më 13 tetor. Në fakt, Drammeni kishte kërkuar që të dy ndeshjet të luheshin në Norvegji, por Besa ka refuzuar. Zhvillimi i dy ndeshjeve në Norvegji do të nënkuptonte dorëzim ende pa u zhvilluar ndeshjet.
Prej edicionit 2005/06, Besa vetëm një edicion nuk ka garuar në Evropë. Në shtatë paraqitjet e para u ndal në ndeshjet e para e më pas tri herë rresht kaloi nga një kundërshtar, fillimisht në Challenge Cup e më pas dy herë në Kupën e EHF-së. Në dy edicionet e kaluara po ashtu u ndal pas ndeshjeve të para, ndërsa këtë edicion tashmë ka arritur të kalojë rivalin e parë. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)