Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Besa fiton derbin e madh të hendbollit

Kampionia në fuqi, Besa Famgas e ka fituar derbin më të madh të hendbollit kosovar. Të shtunën mbrëma në palestrën "Bill Clinton" në Ferizaj para rreth 1200 shikuesve, Besa e mposhti Kastriotin vendas me shifrat 23:22. Madje ekipi pejan golin e fitores e shënoi në sekondën e fundit të ndeshjes së fortë dhe dramatike.

Derbi i ka takuar xhiros së 20-të të Superligës A për hendbollistë. Kastrioti e Besa Famgas tani i kanë nga 36 pikë dhe pritet të zhvillojnë garë të fortë deri në fund për titull të kampionit. Të shtunën janë luajtur edhe ndeshjet tjera në kampionatin e Kosovës për hendbollistë, transmeton koha.net.

Në kuadër të Superligës A u luajtën edhe dy ndeshje tjera. Vushtrria fitoi ndaj Dritës me shifrat 31:29, kurse Prishtina fitoi ndaj Vëllaznimit në Gjakovë me rezultat 35:23. Në Superligën B u luajt java e 19-të, ndërsa Trepça fitoi ndaj Samadrexhës (37:31) e Drenica ndaj Zhegrës (28:24).