Sulmuesi kosovar Besart Berisha në edicionin e ri do të luajë në A-Leaguen e Australisë.
Berisha, të premten ka firmosur kontratë me Western United, ekip që do të debutojë në elitën e futbollit australian, transmeton Koha Ditore.
Sulmuesi 34-vjeçar thuhet se ka firmosur kontratë njëvjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Ai te Western Unitedi është transferuar si lojtar i lirë, pasi ka shkëputur kontratën me ekipin nga Japonia, Sanfrecce Hiroshima, pjesë e të cilit ishte për 14 muaj.
"Western United ka fituar garën për shërbimet e Besart Berishës, i cili do t'i prijë sulmit të ekipit në edicionin e ri", ka shkruar "The Sydney Morning Herald".
Berisha pritet të debutojë me ekipin e ri, në ndeshjen e xhiros së parë që Western Unitedi e luan në udhëtim kundër Wellington Phoenixit më 13 tetor.
Berisha është njëri prej lojtarëve më të njohur në futbollin australian, pasi ka vendosur shumë rekorde gjatë kohës sa ishte pjesë e ekipeve Brisbane Roar dhe Melbourne Victory.
Edhe
Me Berishën, Westerni kërkon suksesin në A-League
Ai ka shënuar 116 gola në 186 ndeshje kampionale, kurse ka fituar edhe katër tituj kampioni të Australisë. Në dy raste, Berisha është shpallur golashënuesi më i mirë në kampionat.
Krahas Berishës, në edicionin e ri në A-League, do të paraqitet edhe mesfushori Migjen Basha, i cili më herët ka firmosur me Melbourne Victoryn.