Sulmuesi Besart Berisha qëndroi pak minuta të mërkurën në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Por Berisha nuk bëri asnjë lëvizje apo manovrim me top gjatë prezantimit të tij me fanellën e kampiones në fuqi të Kosovës në futboll, Prishtinës.
Megjithatë, golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit të Australi në konferencën për media, tha se te Prishtina ka ardhur për ta kryer punën që i takon. Pra, të shënojë sa më shumë gola dhe për të fituar trofe. E golat dhe trofetë Berishës nuk i kanë munguar dekadën e fundit në Australi. Golashënuesi më i mirë në A-League të Australisë insiston se te Prishtina nuk është transferuar për përfitime financiare. Ai ka thënë se synimi i tij ishte të kthehet në vendlindje.
“Qëllimi im ka qenë të kthehem ku kam lindur dhe ku i kam bërë hapat e parë në futboll. Edhe pse nuk kam luajtur në ekip, kam nisur të luaj futboll në Prishtinë dhe dëshira ishte që të vija ta jepja kontributin tim në klubin që e respektoj dhe transferimi im te Prishtina nuk ka të bëjë aspak me aspektin financiar”, ka thënë Berisha. “Kam ardhur të mundohem që përvojën dhe të arriturat e mia jashtë t’i sjell edhe në Kosovë, ta ndihmoj ekipin e Prishtinës në fushë e po ashtu edhe në aspektin tjetër, pra të ndihmoj të rinjtë”.
Berisha me Prishtinën ka nënshkruar kontratë deri në fund të edicionit aktual. 36-vjeçari thotë se ka mjaftueshëm informata rreth ligës së Kosovës. Ai premton se do ta japë maksimumin për skuadrën “bardhekaltër”.
“Do ta jap maksimumin tim, pasi e respektoj ligën dhe lojtarët që luajnë këtu. Unë nuk dua ta ndiej veten që jam lojtari me më së shumti përvojë. Dua të jem si gjithë të tjerët dhe nuk dua ta ngre veten më lart se që jam. Unë vetëm dua të luaj ashtu siç kam luajtur gjithmonë duke e dhënë maksimumin”, është shprehur Berisha.
Sulmuesi i rritur në Gjermani shënoi 142 gola në dekadën e tij në A-League, një magji e cila filloi kur u transferua në Brisbane Roar. Ishte i pari që fitoi dy tituj rresht në A-League, më 2011 dhe 2012. Pas Brisbanet, Berisha shkoi në jug për t’u bashkuar Melbourne Victoryn, ekip që e ndihmoi ta fitonte titullin e kampionit në vitet 2015 dhe 2018. Berisha pati edhe një periudhë të shkurtër dhe të pakënaqshme te Hiroshima në Japoni, para se të kthehej në Australi për të qenë pjesë e skuadrës së parë perëndimore që u paraqit ndonjëherë në A-League, Western Unitedit. Berisha në dy raste është shpallur edhe golashënuesi më i mirë në elitën e futbollit australian, në sezonet 2011/12 dhe 2016/17. Prej vitit 2006 deri në vitin 2009 e përfaqësoi Shqipërinë, ku shënoi një gol në 17 ndeshje, ndërsa në vitin 2017 vendosi të luante për Kosovën, shtet për të cilin ka vetëm një paraqitje. Berisha ka thënë se këtë edicion synon titullin e kampionit me Prishtinën.
“Gjithmonë kam dëshirë të fitoj, të shënoj gola. Ajo është puna ime dhe sigurisht që do të futem në fushë me shumë dëshirë. Do ta marr me shumë seriozitet garën dhe do të punoj shumë për punën që e kam bërë në fushë. Dua të adaptohem sa më shpejt me skuadrën dhe dëshira ime është që jo vetëm të shënoj gola, por edhe të fitoj si ekip ndonjë titull. Më me rëndësi për mua janë fitoret sesa aspekti individual të shënoj gola. Dua të bëj histori me klubin”, thotë ai.
Berisha insiston se brenda një periudhe shumë të shkurtër do të jetë i gatshëm për të luajtur me fanellën e Prishtinës. Madje thotë se mezi e pret atë ditë. Edhe kryetari i Prishtinës, Remzi Ejupi, pranon se pritjet e klubit janë të mëdha duke iu referuar të kaluarës dhe sukseseve të tij.
duket se kemi marrë një lojtar 26-vjeçar për arsye se jemi të befasuar për të mirë, pasi Besarti ishte në gjendje të mirë fizike në teste. Presim një paraqitje të mirë prej Besartit duke pasur parasysh të kaluarën e tij, sukseset e tij. Në të ardhmen do të jap kontributin e madh për Prishtinën e në veçanti për gjeneratat e reja që do të kenë motiv shtesë. Ai do ta japë kontributin e tij jo vetëm me rezultate, por edhe me motivimin e gjeneratave të reja”, deklaroi Ejupi.
Sulmuesi karrierën e nisi tek ekipi pak i njohur në Gjermani, Tennis Borussia Berlin, në vitin 2003, kurse pas një viti u transferua te Hamburgu. Ai gjithashtu karrierë në Evropë bëri edhe te skuadrat Aalborg, Horsens, Burnley, Rosenborg e Arminia Bielefeld përpara se të zhvendosej në Australi në vitin 2011. Karrierën shpreson ta mbyllë te Prishtina.
“Shpresoj që po, kam respekt më shumë se klubet e tjera të Kosovës. Kam një lidhje më të ngushtë me Prishtinën. Kanë luajtur edhe shumë shokë të mi në Prishtinë. Është klub i madh dhe këtë vit feston edhe 100-vjetorin, ka tifozerinë më të mirë ‘Plisat’ dhe për mua ka qenë gjithmonë Prishtina dhe do të mbetet”, ka thënë Berisha.