Sport

Berisha largohet nga Sanfrecce Hiroshima

Sulmuesi Besart Berisha ka shkëputur kontratën me marrëveshje me skuadrën e Japonisë, Sanfrecce Hiroshima.

Berisha nuk ka luajtur asnjë ndeshje me klubin japonez në vitin 2019 dhe pati vetëm gjashtë paraqitje si rezervist në stinorin e parë vitin e kaluar.

Në një komunikatë të lëshuar nga klubi japonez të enjten është thënë se Berisha ende nuk ka vendosur se ku do të luajë.

34-vjeçari tash është shtetas i Australisë, pasi ka kaluar shtatë vite në Australi gjatë të cilave është bërë golashënuesi më i mirë në histori të A-Leagues së Australisë me 106 gola në 171 ndeshje.

Ka gjasa që Berisha të kthehet në A-League ku disa skuadra janë në kërkim për një sulmues para fillimit të stinorit më 11 tetor.

"Jam munduar të adaptohem me kulturën dhe futbollin japonez, por ka qenë e vështirë. Lojtarët me të cilët kam luajtur kanë qenë të mrekullueshëm. Dua të falënderoj edhe tifozët që më kanë përkrahur edhe pse nuk kam luajtur", ka thënë Berisha.