Basketbollistët e Pejës nuk kanë opsion tjetër, veçse ta fitojnë ndeshjen e tretë gjysmëfinale të plejofit në Superligën e Kosovës kundër Trepçës. Vetëm fitorja, mbanë gjallë gjasat e skuadrës së Pejës për të luftuar për titullin e kampionit këtë edicion, në të kundërtën do të eliminohet në serinë gjysmëfinale.
Ndeshja e tretë ndërmjet Pejës dhe Trepçës, do të zhvillohet të dielën prej orës 17:00 në palestrën “Karagaçi”.
Pas dy ndeshjeve të para që u luajtën në palestrën e stërmbushur “Minatori” në Mitrovicë, seria gjysmëfinale është zhvendosur në Pejë. Aktualisht, rezultati është 2:0 në favor të Trepçës, e cila me fitore eventuale të dielën, do të avancojë në finalen e plejofit. Te Peja, këtë e kanë parasysh dhe janë të vendosur për ta fituar ndeshjen për ta shtyrë serinë gjysmëfinale duke e ngushtuar rezultatin. Kështu, ka insistuar kapiteni i Pejës, Dardan Berisha. Berisha në ndeshjen e dytë ishte më efikasi te Peja me 39 pikë të shënuara, por që nuk arriti ta evitonte humbjen që erdhi pas dy vazhdimeve nga pesë minuta. Megjithatë, ai beson se ka ardhur koha që Peja ta fitojë ndeshjen e parë në këtë seri gjysmëfinale pasi synimi i ekipit pejan është titulli.
Peja nuk e ka fituar titullin e kampionit prej vitit 2013, ndërsa Trepça që nga viti 2012. Skuadra pejane këtë edicion e fitoi Ligën Unike kurse Trepça Kupën e Kosovës ku në finale mposhti Bashkimin. Për Trepçën, ky ishte trofeu i parë i kësaj gare pas një dekade.
“Mendoj që edhe kjo ndeshje ka me qenë shumë e fortë sikur këto të fundit që ishin. Sigurisht, se do të jetë shumë vështirë për ne, për shkak se Trepça ka një ekip shumë të mirë dhe janë të përgatitur fizikisht”, ka thënë Berisha, i cili ka insistuar se ekipi i Pejës do ta fitojë këtë ndeshje edhe për tifozët, të cilët pritet ta stërmbushin palestrën. “Shpresoj që do të fitojmë. Jo vetëm unë, por gjithë lojtarët do ta japim maksimumin për ta fituar këtë ndeshje për publikun, i cili e meriton këtë. Nuk do të kursejmë asgjë nga vetja për fitore”.
Berisha ka pranuar se nuk do të jetë lehtë rikthimi i fuqishëm i Pejës në këtë seri gjysmëfinale pas dy ndeshjeve të humbura.
Megjithatë, ai thotë se vetëm fitorja e mbanë Pejën në garë për titull dhe këtë e kanë parasysh të gjithë.
“Të gjithë besojmë fuqishëm në rikthimin tonë në këtë seri edhe pse jemi në disavantazh. Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për ne, edhe pse presioni tash i gjithi është mbi ne. Besoj se jemi të gatshëm të tregojmë forcën tonë dhe të kthehemi”, ka thënë Berisha, i cili si avantazh e sheh palestrën “Karagaçi”.
“Forca jonë kryesore do të jetë parket vendës dhe përkrahja e fuqishme nga tifozët tanë. Shpresoj që palestra të jetë e mbushur me shikues dhe të ketë një atmosferë të zjarrtë dhe një ndeshje e mirë për të gjithë të pranishmit”.
Skuadrës së Pejës për ndeshjen e tretë pritet t’i kthehet Arijan Qallaku, i cili i mungoi në duelin e dytë për shkak të lëndimit. Përderisa Peja kërkon të ngushtojë epërsinë e Trepçës në 2:1 dhe për të siguruar edhe ndeshjen e katërt në shtëpi, te skuadra nga Mitrovica do të tentojnë t’i japin fund kësaj serie në ndeshjen e tretë.
Skuadra e Trepçës është kualifikuar direkt në gjysmëfinale të plejofit, pasi stinorin e rregullt e ka mbyllur në pozitën e dytë në tabelë.
Për dallim prej Trepçës, skuadra e Pejës si e treta në sezonin e rregullt është dashur që plejofin ta nis nga seria çerekfinale. Në këtë seri, Peja e eliminoi skuadrën e Bashkimit me rezultatin e përgjithshëm 2:0.