Sport

Beqiragiq i befasuar me startin e dobët të kampionit, paralajmërohen ndryshime në ekip

Golden Eagle Ylli në nismë të këtij edicioni nuk është as hija e ekipit që edicionin e shkuar i fitoi trofetë e parë në basketboll.

Pas triumfit në turneun e Ligës Unike dhe në Superligën e Kosovës, Ylli llogaritej favorit i madh për ta mbrojtur titullin e kampionit të Kosovës në basketboll.

Para fillimit të këtij edicioni, Ylli njoftoi se pjesë e ekipit do të jenë Erjon Kastrati e Gëzim Morina. Suharekasit shtuan edhe Mikaile Tmushiqin, një tjetër reprezentues të Kosovës, si dhe katër lojtarë të huaj.

Megjithatë, pas dy xhirove të para ekipi nga Suhareka zë vendin e fundit në tabelë. Ylli së bashku me Dritën janë skuadrat e vetme pa fitore në edicionin 2021/22 të elitës së basketbollit kosovar që nisi mesjavën e shkuar. Në xhiron e parë, Ylli u mposht në udhëtim nga Trepça (72:69), ndërsa të dielën u befasua në shtëpi nga skuadra e Bashkimit (60:55). Këto dy humbje kanë shqetësuar pa masë trajnerin e Yllit, Adis Beqiragiqin. Ai ka pranuar se as që e ka paramenduar një start të tillë në Superligë, duke pasur parasysh përgatitjet që i ka bërë ekipi para fillimit të sezonit. Beqiragiqi është i befasuar me paraqitjen jo të mirë dhe me mungesën e fitoreve të Yllit në dy ndeshjet e para.

“Sinqerisht nuk e kam pritur një fillim kaq të dobët, dy humbje në po aq ndeshje”, është shprehur Beqiragiqi të hënën për KOHËN. “Kemi stërvitur mirë tërë kohën dhe kam shpresuar për një lojë dhe paraqitje më të mirë të ekipit. Në të dyja ndeshjet që i kemi humbur na kanë munguar pikët. Ne të gjitha po i bëjmë mirë, por në fund nuk po mund të finalizojmë”.

Megjithatë, Beqiragiqi është optimist dhe beson se Ylli së shpejti do t’u kthehet fitoreve për të vazhduar me një ritëm të tillë deri në fund të sezonit. Ndeshjen e ardhshme Ylli e luan kundër skuadrës Prizreni-16.

“Ne do të vazhdojmë të stërvitemi edhe më shumë për t’u përmirësuar. Dhe, nëse e gjejmë mënyrën për ta finalizuar sulmin që po e kërkojmë, atëherë jam më se i bindur se mund ta mposhtim çdo skuadër në kampionat”, është shprehur trajneri i skuadrës suharekase.

Dy humbjet në start të edicionit nuk do të kalojnë pa pasoja brenda skuadrës. Te Ylli tashmë kanë paralajmëruar ndryshime në ekip dhe “viktima” pritet të jenë basketbollistët e huaj, të cilët nuk i kanë bindur drejtuesit e klubit me paraqitjet e tyre.

Kështu ka insistuar drejtori sportiv i Yllit, Agron Berisha. Ylli në radhët e veta ka katër lojtarë amerikanë: Brandon Randolph, Barret Benson, Justin Martin e Tamas Bruce. Në ndeshjen e fundit amerikanët së bashku shënuan 30 pikë në total. Por, edhe tre reprezentuesit e Kosovës nuk shfaqën sa është pritur. Në fakt, asnjëri prej lojtarëve të Yllit nuk realizoi pikë dyshifrore në humbjen ndaj Bashkimit.

“Po, përfundimisht do të ketë ndryshime në ekip gjatë kësaj jave. Ndryshimet do të bëhen te lojtarët e huaj, të cilët nuk i kanë përmbushur pritjet. Është në përgjegjësinë e trajnerit që të vendosë se kënd ta largojë”, është shprehur Berisha.

Ylli këtë edicion do të paraqitet edhe në Ligën Unike, që starton në muajin e ardhshëm. Ylli kishte dështuar edhe në turneun e Superkupës, që i parapriu kampionatit.