Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Benzema shkëlqen në fitoren e Realit

Real Madridi ka bërë hap të madh drejt kalimit të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve për sezonin e 25-të rresht.

Madrilenët të mërkurën mbrëma mposhtën Shakhtar Donetskun me rezultatin 2:1 dhe ia shoi shpresat për të avancuar tutje.

Rezultati u zhbllokua në stadiumin “Santiago Bernabeu” në minutën e 14-të, pasi sulmuesi francez Karim Benzema shënoi për 1:0. Vinicius Junior asistoi për Benzeman, që shënoi golin e 1000-të të Real Madridit në Ligën e Kampionëve.

Mirëpo, skuadra nga Ukraina i barazoi shifrat në minutën e 39-të nëpërmjet Fernandos.

Në minutën e 61-të, aksioni i përkryer i madrilenëve u konvertua në gol. Sërish, Vinicius Junior ishte asistues në golin të cilin e realizoi francezi Benzema.

13 herë kampioni i Evropës pas katër ndeshjeve ka marrë nëntë pikë në Grupin D, kurse Shakhtari mbetet në vendin e fundit me një pikë.

Artikuj të ngjashëm