Karim Benzema ia dha zyrtarisht lamtumirën Real Madridit të martën, duke thënë se donte ta mbyllte karrierën me klubin por jeta ia ofroi një mundësi tjetër. Sulmuesi francez nuk dha asnjë detaj për të ardhmen e tij, por të martën mbrëma bëri lëvizje fitimprurëse për të luajtur në Arabinë Saudite.
Benzema luajti të dielën ndeshjen e fundit, prej 648 gjithsej, me Real Madridin. Shënoi golin e barazimit kundër Athletic Bilbaos (1:1) në xhiron e fundit të ligës spanjolle.
“Është një ditë pak e trishtuar, sepse më dhemb të largohem nga ky klub”, tha Benzema të martën në ceremoninë që ia organizoi klubi madrilen. “Kisha një ëndërr dhe firmosa për Real Madridin. Doja të përfundoja karrierën në Madrid, por jeta ndonjëherë të jep një mundësi tjetër dhe e kam shfrytëzuar bashkë me familjen time”.
Benzema foli në një ceremoni lamtumire të organizuar nga Real Madridi brenda objektit të klubit dhe ku morën pjesë bashkëlojtarët, ish-lojtarët dhe presidenti Florentino Perez, të cilët i dhanë yllit francez një simbol të artë si dhuratë.
“Kur mbërrite në klub ishe pothuajse fëmijë dhe sot po largoheni si një nga legjendat tona më të mëdha dhe një nga lojtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave”, tha Perez. “Trashëgimia juaj do të zgjasë përgjithmonë, si një histori e bukur dashurie mes Benzemas dhe Real Madridit. Jam i sigurt se kudo që të jeni, do të jeni një nga ambasadorët tanë më të mëdhenj dhe do të vazhdoni të përfaqësoni vlerat e Real Madridit. Sepse kjo është dhe do të jetë gjithmonë shtëpia juaj”.
35-vjeçari Benzema ishte pjesë e Real Madridit që nga viti 2009 kur iu bashkua skuadrës nga Lyoni. Ka luajtur 14 edicione me klubin spanjoll. Ai ndihmoi Realin të fitonte 25 trofe, duke u barazuar me Marcelon si lojtari më i dekoruar në klub. Midis trofeve të Benzemas janë pesë të Ligës së Kampionëve, katër të ligës spanjolle dhe pesë të Botërorëve të klubeve. Ai ishte vendimtar për Realin që e fitoi Ligën e Kampionëve vitin e kaluar, për rekord të ri me 14 trofe evropianë. Benzema në nivelin personal arriti kulmin kur e fitoi “Topin e Artë” vitin e shkuar.
“Asnjë tifoz i Real Madridit apo tifoz futbolli nuk do t'i harrojë kurrë ato rikthime të pamundura vitin e kaluar”, tha Perez.
Në ceremoni ishte edhe trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti.
“Ai gjithmonë ka pasur shumë besim tek unë”, tha Benzema. “Nuk do ta harroj kurrë këtë. Ai është një trajner i mirë dhe unë kam mësuar shumë prej tij. Faleminderit shumë për gjithçka!”.
Benzema largohet si golashënuesi i dytë më i mirë i të gjitha kohërave te Reali me 354 gola të realizuar. Edhe pse ishte i emocionuar gjatë ceremonisë që zgjati rreth 20 minuta, Benzema tha se gjithmonë do të ndihet krenar që ka luajtur me fanellën e Real Madridit.
“Është koha që unë të largohem dhe të kem një histori tjetër. Por gjëja më e rëndësishme për mua është ajo që kam fituar këtu. Ka qenë një rrugëtim i mirë në jetën time. Unë pata fatin të përmbushja ëndrrën time të fëmijërisë”, tha Benzema. “Nuk do ta harroj kurrë Real Madridin. Në fakt është e pamundur të harrohet ekipi më i mirë në histori të futbollit”.
Pas u përshëndet nga Real Madridi, Benzema u zyrtarizuar tek Al-Ittihadi në Arabinë Saudite. Benzema ka arritur marrëveshje trivjeçare me klubin saudit, me pagë vjetore prej 200 milionë eurosh. Edicionin 2022/23, sulmuesi 35-vjeçar e mbylli me 31 gola të shënuar.