Mesfushori i Anglisë dhe i Real Madridit, Jude Bellingham, e ka fituar çmimin “Golden Boy”, që u jepet lojtarëve më të mirë nën moshën 21-vjeçare nga ligat më të forta evropiane.
20-vjeçari u transferua nga Borussia Dortmundi te Reali në verë dhe ka shënuar 13 gola në 14 paraqitje.
Ky çmim për Bellinghamin vjen pasi u nderua me çmimin si lojtari më i mirë në botë për grupmoshën U21, në ceremoninë e “Topit të Artë” në muajin tetor.
“Tani që e kam këtë çmim të rëndësishëm dua që të vazhdojë ende. Dua të shkojë deri në limite të potencialit tim, me shpresën që edhe shumë trofe do të vijnë më pas. Dua që t’i falënderojë të gjithë që kanë qenë pjesë e rrugëtimit tim deri tani në Birmingham, Dortmund dhe tani te Real Madridi. Do të ishte e pamundur pa ata. Në fund, falënderoj më të rëndësishmit, familjen time, që më ka përkrahur, motivuar e më ka dashur çdo ditë”, ka thënë Bellingham.
Bellinghami është lojtari i parë anglez që e fiton këtë çmim që prej Raheem Sterlingut në vitin 2014, kur futbollisti i Chelseat ishte pjesë e Liverpoolit.
Lojtarë tjerë të rëndësishëm që e kanë fituar këtë çmim janë edhe Wayne Rooney, Lionel Messi, Kylian Mbappe dhe Erling Haaland.